Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se kërkesat e zyrtarëve serbë për të vizituar Kosovën do të trajtohen “sipas ndjeshmërisë së gjendjes aktuale në të cilën po kalon vendi”, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Qëndrimi i këtillë i Hotit vjen pas letrës së dërguar nga Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak i cili shprehu shqetësim në lidhje me refuzimin nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të lejuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të vizitojë veriun e Kosovës.
Hoti deklaroi se Qeveria e tij do të respektojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe vizitat e ndërsjella të zyrtarëve, por do të marrë parasysh kontekstin e gjendjes në vend dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ne i respektojmë marrëveshjet dhe jemi për lëvizje të lirë, pa asnjë dilemë. Ne jemi duke punuar në procesin e dialogut për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura që kemi me Serbinë, por nganjëherë disa çështje janë shumë të ndjeshme dhe ne veprojmë në kontekstin e ndjeshmërisë së gjendjes. Unë e kam pranuar letrën nga z.Lajçak dhe do t’i përgjigjem të njëjtës”, deklaroi Hoti, duke theksuar se Prishtina është në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin.
Lidhur me deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Melisa Haradinaj-Stublla, se nuk do të lejoj që Vuçiqi të hyjë në vend “derisa të kërkojë falje për gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës”, Hoti tha se pikëpamjet zyrtare të Qeverisë mund të të shprehet vetëm prej tij si kryeministër.
“Unë i shpreh pikëpamjet zyrtare të Qeverisë dhe jo dikush tjetër. Sigurisht që unë i koordinoj me ministrat kompetentë dhe ata mund të kenë pikëpamje të caktuara, por në fund ata koordinohen me mua”, deklaroi Hoti.
Diplomati sllovak Lajçak në letrën e dërguar Hotit, të cilën sot e transmetuan mediat në Prishtinë, shprehu shqetësimin lidhur me refuzimin e Prishtinës për të lejuar Vuçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij të vizitojnë Mitrovicën e Veriut në prag të zgjedhjeve të parakohshme komunale të së dielës në Mitrovicën e Veriut.
Në shpjegimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, gjithashtu theksohet se kërkesa e Vuçiqit ishte refuzuar për shkak të “deklaratave të tij kërcënuese ndaj Kosovës”, në fakt mesazhi i tij se duhet gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet në mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të parandalohet që “Kosovës t’i ndodhë Nagorno-Karabahu”.
Në një fjalim të fundit publik, presidenti serb deklaroi se konflikti i Nagarno-Karabahut kishte treguar se “bota, përveç kumtesave, nuk është shumë e interesuar të reagojë” ndaj situatave të krizës dhe se “në fund të fundit, ju gjithmonë duhet të mbështeteni në fuqin tuaj”.
“Kjo është arsyeja përse Serbia do të duhet të forcojë vetveten ushtarakisht dhe ekonomikisht”, porositi Vuçiqi.
Prishtina zyrtare këto mesazhe nga presidenti serb i përshkroi si “kërcënim i hapur me luftë”, që gjithashtu paraqet kërcënim për paqen në rajon.
