Hoti dhe Haradinaj i uruan Kurtit shërim të shpejtë nga Covid-19

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i uroi liderit të partisë Vetëvendosje, Albin Kurtit, shërim të shpejtë nga Covid-19, pasi lideri i opozitës njoftoi këtë mëngjes se ishte pozitiv në testin për koronavirus, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Në faqen e tij në Fejsbuk, Hoti uroi që Kurti dhe të gjithë të infektuarit me Covid-19 të kalonin më lehtë sëmundjen.

“Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i dëshiroj që ta kaloj sa më lehtë gjendjen shëndetësore me Covid-19. Z.Kurti dhe të gjithë të prekurve tjerë i uroj që sa më lehtë t’i përballojnë simptomat dhe t’i kthehen angazhimeve të përditshme”, shkroi Hoti i cili edhe vetë para tre muajve ishte i infektuar me Covid-19 dhe kaloi dy javë në vetizolim.

Të shumtë janë ata që i uruan shërim të shpejtë Kurtit si dhe paraardhësit të tij në krye të qeverisë së Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Z.Albin Kurti dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga Covid-19 ju dëshiroj shërim të shpejtë”, shkroi Haradinaj.