Hapja e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE duhet të ndodhin këtë vit për shkak se është plotësuar gjithçka që nevojitet dhe alternativë tjetër nuk ka. Këtë e deklaroi ambasadorja gjermane, Anke Hollshtajn e cila njëkohësisht theksoi se është shumë jetike të ketë bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
“Gjatë javëve të ardhshme, vlerësojmë se është shumë e rëndësishme të ketë bashkëpunim mes dy vendeve fqinje në ato sfera dhe segmente ku nuk ka dallime në mendimet dhe me këtë do të dëshmohet se ka bashkëpunim të mirë. Besoj se mundemi të arrijmë qëllime nëse punojmë për realizimin e tyre. Me këtë, hapja e negociatave aderuese me RMV-në duhet të ndodhë dhe unë shpresoj se do ta arrijmë atë gjë këtë vit”, theksoi Anke Hollshtajn, ambasadore e Gjermanisë në vend.
Megjithatë që në mëngjes ministrja e jashtme e Bulgarisë, Ekaterina Zaharieva dërgoi mesazh se Maqedonia nuk duhet të shpresojë aq shumë se pas zgjedhjeve në Bullgari gjërat do të ndryshojnë. Ajo tha se pozita e parlamentit bullgar në lidhje me Maqedoninë e Veriut është e unifikuar rreth kësaj çështjeje dhe se në lidhje me gjuhën maqedonase, ky është një prej mashtrimeve që Maqedonia dëshiron t’i vendosë, tha ajo.
“Është e gabuar mendimi se gjërat do të ndryshojnë pas zgjedhjeve. Nëse diçka ndryshon, kjo mund të jetë e keqe për ata. Se Bullgaria bën përpjekje që ta ndalojë të drejtën e identitetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kjo nuk është ashtu. Ne duam që të tejkalohen stereotipat e së kaluarës, të ndalet edukimi dhe krijimi i kombit në bazë të antibullgarizmit, të ndalet gjuha e urrejtjes”, deklaroi Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkon që Qeveria ta tregojë dokumentin për të cilin negocion me Bullgarinë, e në të cilin një nga pikat është edhe çështja e identitetit.
“Çdo politikan që sot ju thotë dhe ju japë përgjigje se nuk diskutohet, po gënjen dhe manipulon me opinionin publik maqedonas. Po, në tryezë, përveç biznesit, është edhe identiteti maqedonas, gjë që është e pakuptueshme për mua si politikan”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani, disa ditë më parë për TV21 tha se Bullgaria ka thënë qartë se nuk i konteston çështjet e identitetit. Unë mendoj se pala bullgare nuk i konteston atributet e identitetit me qëndrimet e saj, por duhet të bisedohet për pikat e përbashkëta të cilat do t’i afrojnë të dy kombet, tha Osmani.
