Spanja ka shënuar një moment historik në mjekësinë botërore, duke realizuar për herë të parë një transplant fytyre duke përdorur inde nga një dhurues, i cili kishte marrë ndihmë mjekësore gjatë vdekjes, procedurë e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021.
Ky operacion u krye në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe konsiderohet një hap i madh përpara në fushën e transplantologjisë dhe kirurgjisë rindërtuese, raportoi “Euronews”.
Operacioni u krye nga një ekip prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe u aplikua te një paciente që kishte pësuar dëmtime të rënda të indeve të fytyrës si pasojë e një infeksioni serioz.
Këto dëmtime kanë cenuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe të folurit.
Falë transplantit, u bë e mundur rindërtimi i pjesshëm i fytyrës dhe nisja e rikuperimit funksional të pacientes.
Donatorja kishte dhënë më parë pëlqimin e saj për dhurimin e organeve dhe indeve pas procedurës së vdekjes së asistuar mjekësisht. Ky pëlqim u lejoi ekipeve mjekësore të përgatiteshin me kujdes për ndërhyrjen komplekse, përfshirë përputhjen dhe përgatitjen e saktë të indeve të fytyrës.
Operacioni u drejtua nga doktor Joan Pere Barret, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron.
Sipas Barretit, ky lloj transplanti përfshin transplantimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të barnave imunosupresive për të parandaluar refuzimin e indeve.
