Banorët e qytetit japonez Hiroshimë po përkujtojnë 70-vjetorin e bombës së parë atomike që është lëshuar ndonjëherë nga SHBA-të.
Në ceremoninë kryesore në parkun memorial në Hiroshima ka marrë pjesë edhe kryeministri Shinzo Abe, ndërsa mijëra fenerë janë lëshuar mbi lumin Motoyasu në këtë qytet.
Kryeministri Abe bëri thirrje për një botë pa armë bërthamore, duke thënë se bomba në Hiroshima nuk shkaktoi vetëm vdekjen e mijëra vetave, por solli edhe vuajtje tek të mbijetuarit.
“Sot Hiroshima është ringjallur. Është bërë një qytet i kulturës dhe i prosperitetit. 70 vjet pas ngjarjes më duhet të ritheksoj nevojën për një botë në paqe, pa armë bërthamore”, u shpreh Abe.
Në ceremoni, përpos kryeministrit Abe dhe kryetarit të Bashkisë së Hiroshimës, Kazumi Matusi, ka marrë pjesë edhe ambasadorja amerikane në këtë shtet, Karolin Kenedi.
Më 6 gusht 1945, saktësisht në ora 08:10, bomba u lëshua mbi qytet, që mori jetën e 70 mijë vetëve, ndërsa mijëra të tjerë vdiqën nga lëndimet dhe rrezet radioaktive pas disa ditësh, javësh dhe muajsh.




