Hillari ia sheh “sherrin” e-mailave të saj

TË FUNDIT

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, e cila konsiderohet si kandidatja më serioze për të fituar garën për të emëruarin e demokratëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet që zhvillohen vitin e ardhshëm, ka pësuar rënie në përkrahje për shkak të thellimit të kundërthënieve rreth e-mejllave të saj.
Anketat më të reja dëshmojnë se Klinton që nga maji ka humbur përkrahjen e rreth 20 për qind të votuesve të Partisë Demokratike, ndërsa rivali i saj kryesor në radhët e demokratëve, Berni Sanders, ka ngushtuar epërsinë.
Në Ajovë, Sanders rreshtohet për shtatë pikë prapa Klintonit, ndërsa në Nju Hempshajr tashmë e ka kaluar atë. Që të dy këto shtete janë tejet të rëndësishme në zgjedhjet paraprake, respektivisht për emërimin partiak për zgjedhjet presidenciale.
Rënien e popullaritetit të Klintonit analistët e ndërlidhin me publikimin e porosive nga serveri i saj privat.
Krahas 63 porosive të mëhershme, 150 e-mejlla tjerë tashmë janë cilësuar si dokumente të besueshme, ndërsa Stejt Departmenti amerikan ka njoftuar se asnjë nga këto porosi më herët nuk ishin vlerësuar si të besueshme.
Klinton insiston se ka respektuar rregullat, që kanë ekzistuar në kohën kur ka dërguar e-mejllat.
FBI ka filluar të kontrollojë e-mejllat e Klintonit, pasi që u kuptua se ajo gjatë kohës sa ka qenë sekretare e shtetit ka përdorur serverin e saj privat për korrespondenca zyrtare, e që paraqet shkelje të ligjeve federative./21Media