Në prag të takimit të nesërm të paralajmëruar të ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Kristofer Hill me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ai për Politika deklaroi se për Serbinë ka vetëm një rrugë dhe ajo është Perëndimi dhe BE-ja, duke porositur se në jetë duhet të bëhen zgjedhje dhe se ky është një moment i tillë.
“Për dallim nga e kaluara, kur në Serbi është menduar se ekziston një rrugë e tretë, se Serbia nuk është as në lindje as në perëndim, se është e veçantë dhe se shkon në rrugën e vet, tani shumica në Serbi konsideron se ekziston një rrugë e drejtë dhe një rrugë e gabuar dhe dëshiron ta zgjedhë atë rrugën e vërtetë. Mendoj se ka vetëm një rrugë për Serbinë dhe ajo është Perëndimi dhe Bashkimi Evropian”, deklaroi ambasadori Hill për “Politika”.
Ambasadori amerikan vlerësoi se qytetarët e Serbisë “kanë vendosur që e ardhmja e tyre të jetë në Perëndim, e jo në një Lindje të padefinuar”.
“Këtë e them në bazë të asaj që çdo ditë e dëgjoj nga njerëzit, por edhe në bazë të deklaratave të presidentit Vuçiq”, tha Hill.
Ai vlerësoi se Ukraina dhe Kosova janë “situata shumë të ndryshme” dhe bëri thirrje të mos lidhet ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999 me këtë që po ndodh në Ukrainë sot.
Shprehu zhgënjim që “problemi i Kosovës ende ekziston” dhe tha se “Serbia dhe Kosova janë vende fqinje të cilat duhet të zgjidhin shumë probleme” duke vlerësuar se “mënyra e vërtetë është dialogu përmes BE-së dhe negociatave në Bruksel”.
Duke folur për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, ambasadori amerikan tha se Serbia duhet të vendos nëse marrëdhëniet me Rusinë i kanë sjell të mirë dhe nëse ajo e mirë u shërben interesave serbe.
