“Do ta paralajmëroja Serbinë që ta kuptojë se kjo nuk është ‘nëna Rusi’, ne po përballemi me një Rusi tjetër”, tha Hill gjatë një interviste për Radiotelevizionin publik të Serbisë.
Hill tha se e di që kjo është e vështirë dhe se Serbia me dekada ka marrëdhënie të mira me Rusinë. Por, ka shtuar ai, tani bëhet fjalë për një Rusi krejt ndryshe, “një Rusi që sulmon brutalisht fqinjët e saj”. Serbia duhet të deklarohet për këtë, tha Hill.
Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Nëse e shikoni Evropën, vetëm pak shtete, më duket vetëm Bjellorusia dhe Serbia nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pyetja është nëse Serbia dëshiron të qëndrojë në këtë grup. Shumë shtete kanë vendosur sanksione dhe ata po kanë pasoja nga kjo. Pyetja është nëse sanksionet mund të kenë ndikim në sjelljen e Rusisë, por ata gjithsesi i vendosën sanksionet sepse e kuptojnë se duhet të jenë të bashkuar dhe të kundërshtojnë atë që po bën Rusia”, tha Hill.
