“Higjiena Komunale” thotë se bën pastrim çdo ditë, por në terren gjendja është ndryshe, mbeturina shihen gjithandej Shkupit

TË FUNDIT

Komunat e Shkupit janë mbuluar nga mbeturinat si kurrë më parë. Në çdo cep të qytetit shihen kosha të stërmbushura me plehra dhe mbeturina të hedhura përreth tyre. TV21 dje informoi për gjendjen ne Çair, ndërsa kryetari i kësaj komune gishtin e drejtoi te NP Higjiena Komunale. Por kjo e fundit thotë se në këtë komunë çdo ditë bëhet pastrim.

Por jo vetëm në Çair, me të njëjtin problem po përballen edhe komunat tjera, si ajo e Gazi Babës, Butelit e Kisella Vodës.   Kryetari i kësaj të fundit Orce Gjeorgjievski madje ka informuar se në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” ka dorëzuar kallëzim për kundërvajtje për shkak të mos grumbullimit të mbeturinave.

Përveç për Higjienën Komunale, ankesa ka edhe në ndërmarrje tjera që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, si për NP Parqe dhe Gjelbërime, për mos kositje të barit, por edhe për NQP-në, te e cila ditëve të fundit është vërejtur një kaos i vërtetë.