Hidhen poshtë ankesat e VMRO-DPMNE-së, KSHPK e dërgoi ankesën e Çulevit në KSHZ

TË FUNDIT

Komisioni Antikorrupsion e hodhi poshtë ankesën e VMRO-DPMNE-së e cila kërkoi përgjegjësi nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov, sepse ka mundësuar, siç thonë nga partia, ngjarje publike partiake në objekt i cili ndërtohet me mjete të buxhetit. Sipas VMRO-DPMNE-së, ngjarja ka ndodhur më 21 qershor gjatë mbikëqyrjes së punimeve në rrugën Shtip-Koçan, ku morën pjesë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe sekretari gjeneral, Lupço Nikollovski. Nga Antikorrupsioni thonë se kjo ka ndodhur para fillimit të fushatës zgjedhore dhe se ankesën do ta dërgojnë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili është kompetent për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për fushatë të parakohshme.


“Ka ndodhur një ngjarje e cila është jashtë fushatës zgjedhore, por e cila i ngjan një promovimi të një partie dhe koalicioni të caktuar. Do të propozoj që ankesën në fjalë ta dërgojmë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, sepse ai është kompetent për të vlerësuar nëse ka elemente të fushatës zgjedhore”, theksoi Sofka Pejovska-Dojçinovska nga KSHPK.

Nga Komisioni e hodhën poshtë ankesën e ministrit të brendshëm Naqe Çulev, përkatësisht u deklaruan jo kompetentë që të veprojnë për vendimin e Qeverisë e cila i anuloi vendimet e ministrit Çulev. Bëhet fjalë për shkarkimin e Amir Dalipi-t dhe emërimin e tij si zëvendës kryeshef shtesë si dhe për emërimin e Goce Jankullovskit si kryeshef, të dytë në SPB Tetovë.


“Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit nuk ka kompetenca që të veprojë për ngjarje që kanë ndodhur jashtë kohës së fushatës zgjedhore, andaj propozoj që kjo lëndë të mbyllet dhe t’ia dorëzojmë  KSHZ-së i cili është kompetent  për veprim të mëtutjeshëm”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.

Antikorrupsioni hodhi poshtë edhe dy ankesa të zëvendës ministres shtesë Nevenka Stamenkovska e cila kërkoi që Komisioni të bëjë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta për shkak të mosrespektimit të ligjeve dhe presioneve ndaj të punësuarve. Sugjerojmë që së paku funksionarët shtetërorë t’i dorëzojnë ankesat e tyre deri tek institucionet kompetente, për shkak se KSHPK nuk është kompetent të bëjë mbikëqyrje inspektuese, thanë nga Komisioni.