Portieri i dytë i Interit, Josep Martinez, është vënë nën hetim për vrasje pa dashje pas një aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës, në afërsi të qytetit të Komos.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 10:00 në Rrugën Provinciale 32, në Fenegrò, vetëm pak kilometra larg qendrës stërvitore të Interit në Appiano Gentile. Sipas raportimeve të para, Martinez po udhëtonte me makinën e tij kur përplasi një 81-vjeçar, Paolo Saibene, i cili po lëvizte me një karrocë elektrike me katër rrota.
I moshuari humbi jetën në vend si pasojë e goditjes, ndërsa autoritetet kanë hapur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit. Dyshohet se viktima mund të ketë hyrë papritur në rrugë.
Martinez, 26 vjeç, i cili iu bashkua Interit gjatë verës, po bashkëpunon plotësisht me autoritetet hetimore. Klubi zikaltër ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen.
