Heta: Ligji për sponsorim diskriminon kulturën

TË FUNDIT

“Ministria e Kulturës përfundimisht duhet të ndahet nga ajo e sportit”

Albert Heta nga Qendra për Art Bashkëkohor Sacional, ishte i ftuar sot në magazinën “Bon Bon” të RTV 21.

Heta për Ligjin për Sponsorime ka thënë se diskriminon kulturën në raport edhe me lirimin prej tatimeve.

“Ai ligj nuk është krijuar për kulturë. Ne gati rastësisht si Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), kemi mbërri në një takim të fundit konsultativ të Komisionit që e ka përgatitur ligjin. Në atë kohë kur përgatitej ligji, edhe unë kur kam shkuar atje si përfaqësues i RRIPAK, e kam parë që aty asnjë person prej kulturës nuk ka qenë. Do të thotë krejt kanë qenë Federata të sporteve të ndryshme, që në rregull. Ligji diskriminon kulturën në raport edhe me lirimin prej tatimeve. Për shembull nëse një ndërmarrje private kishte me përkrah kulturën nesër me tatimin e akumuluar, tatimin në fitim në esencë, sepse vetëm tatimi në fitim mund të shpërndahet, jo tatim tjetër. Edhe në Kosovë, ekziston edhe një problem se shumë pak kompani deklarojnë tatim në fitim domethënë këtu ndikimi nuk mundet me qenë edhe shumë i madh i ligjit.”, tha ai.

Sipas Hetës me atë se çfarë ka ndodhur me Ligjin për Sponsorime, dhe dështimin në Kuvend, Ministria e Kulturës duhet të ndahet përfundimisht nga Ministria e Sportit.

“Ministria e Kulturës përfundimisht duhet të ndahet nga Ministria e Sportit, do të thotë kultura duhet t’i ketë ligjet e veta. Ministria e Sportit ka tjetër përmbajtje, domethënë mbështetja e rinisë është diçka tjetër, mbështetja e kulturës është diçka tjetër që të krijohet hapësirë për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Kështu siç është duke ndodhur domethënë kultura vazhdimisht është duke u lënë në plan të tretë, mos me thënë në plan të dytë. Ndërsa përmbajtja që krijohet në Kosovë mos me përjashtua sportin, është e rëndësishme jo vetëm për Kosovë. Sepse tregimi për këtë vend, vazhdimisht jepet jashtë vendit përmes artistëve, sportistë të suksesshëm.”, tha ai.

Heta problem të vetëm nuk e konsideroi mos funksionalizimin e ligjit, sipas tij problem tjetër është edhe nëse vendoset të zbatohet ligji, pasi që ka probleme brenda tij, të cilat mund ta bllokonin punën e secilit./21Media

.