A do të hiqet nga Kushtetuta definicioni 20% për gjuhën shqipe? Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani shprehet se këtë do të duhet ta vlerësojnë bashkërisht të gjithë liderët e partive politike, duke rikujtuar gjithashtu se koalicioni aktual qeverisës nuk munden të bëjë ndryshime kushtetuese pa mbështetjen e deputetëve të opozitës.
“Sigurisht që do të vijë momenti do të duhet edhe 20%, ja është pjekur koha që të shënohet në formulim të saktë të gjuhës shqipe. A është tani momenti i duhur do të duhet ta vlerësojnë bashkërisht liderët e partive politike apo do krijojmë një alibi plus për opozitën pse nuk mbështet ndryshimet kushtetuese. Ne, vetëm pjesa e koalicionit qeverisës nuk i ka numrat për ndryshimet kushtetuese pa mbështetjen e deputetëve të opozitës”, tha Osmani.
Nga ana tjetër opozitarja Lëvizja Besa kërkon që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase. Fatmir Sabriu nga kjo parti thekson se nuk kanë kundërshtime ndaj komunitetit bullgar që të inkorporohen në preambulën e kushtetutës.
“Lëvizja Besa në bazë të dispozitave të nenit 130 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kësaj kërkese i sugjeron dhe kërkon nga propozuesi i autorizuar i ndryshimeve kushtetuese, pra Qeverisë së RMV-së, që gjatë përpilimit të draft-versionit për ndryshimet kushtetuese që do t’i dërgohet për debat Kuvendit të RMV-së të inkorporojë përveç ndryshimit të preambulës të Kushtetutës edhe ndryshime të amendamentit 5”, u shpreh Sabriu.
Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët thotë se ka ardhur momenti kur gjuha shqipe nuk do të quhet më “20 përqindëshi”.
“Aleanca për Shqiptarët është e lumtur që tashmë erdhi momenti kur partitë politike në Maqedoni do të mund të shprehin pajtimin e tyre që gjuha shqipe të emërohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht 20%. Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoni”, shkroi Taravari në Facebook.
Edhe partia Alternativa është shprehur e gatshme ta mbështesë propozimin për heqjen e 20%-shit, por në një deklaratë të fundit për këtë çështje u shprehën se me sa duket Ministri Krenar Lloga më parë duhet t’i bindë partnerët e tij para se të flasë për grupe pune me opozitën.
Kushtetuta e Maqedonisë duhet të ndryshohet, duke i futur bullgarët në të, kusht ky i vendosur nga Bullgaria për të hequr veton që e vendosi në rrugën eurointegruese të Shkupit.
