Hendbollistet e Kosovës U18 kanë shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës. Ato kanë fituar ndaj Indisë me rezultat të lartë, 25:15.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
“Hendbollistet e Kosovës U18 kanë arritur sukses historik të shtunën në mëngjes. Ato e kanë shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës. Hendbollistet tona kanë dominuar plotësisht ndaj Indisë dhe kanë fituar me rezultat të lartë, 25:14. Kjo është hera e parë që një Kombëtare e Kosovës te vajzat, në të gjitha sportet ekipore, është kualifikuar dhe paraqitet në Kampionat Botëror. Dhe tani e kemi fitoren e parë, me shpresë për të tjera në fazën e ardhshme të garave. FHK-ja shkroi histori edhe në vitin 2019 kur me Kombëtaren U21 të hendbollistëve u paraqit në Kampionat Botëror. Tani është vetëm hera e dytë që një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore po paraqitet në ngjarjen globale. Fitorja e thellë ndaj Indisë pritet të shërbejë si motivim për të tjera rezultate të mira në vazhdim të Botërorit në Kinë”, thuhet në njoftim.
