Çiklistët duhet të përdorin me patjetër një helmetë kur janë duke udhëtuar me biçikletën e tyre. Një kompani kineze ka krijuar një helmetë të re të cilësisë së lartë, e cila do të përdoret jo vetëm për të rritur sigurinë e çiklistit, por edhe për të bërë telefonata, mund të shërbejë si sinjalizuese në rrugë, ose mund të njoftojë ambulancën në rast aksidenti.
Helmeta Livall është e pajisur me drita LED në pjesën ballore dhe të pasme. Këto drita do të shërbejnë jo vetëm për të bërë më të dukshëm personin që i jep biçikletës, sidomos natën, por edhe si sinjalizues në rrugë, për t’iu treguar drejtuesve të tjerë kur çiklisti do të ndërrojë korsi apo do të kthehet. Dritat mund të kontrollohen në distancë nëpërmjet një kontrolluesi me Bluetooth, që mund të vendoset tek kyçi i dorës.
Helmeta është e pajisur gjithashtu me altoparlantë dhe mikrofon, që do t’i japin mundësi çiklistit të dëgjojë muzikë ndërsa është duke udhëtuar, ose mund të përdoret për të kryer thirrje telefonike. Helmeta mund të shërbejë edhe si radio dore marrëse-dhënëse në rastet kur çiklistët janë në garë, kështu ata mund të komunikojnë me njëri-tjetrin.
