Hegseth: Iranit s’mund t’i lejohet të bllokojë Ngushticën e Hormuzit

TË FUNDIT

Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka deklaruar të martën se SHBA-ja “nuk kërkon luftë”, por ka shtuar se Iranit “nuk mund t’i lejohet të bllokojë vendet e pafajshme dhe mallrat e tyre nga një rrugë ujore ndërkombëtare”, duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit.

Në një konferencë për media lidhur me zhvillimet në ngushticë, Hegseth ka thënë se “Projekti Liri” është i ndryshëm nga operacioni “Epik Fury”, i cili u nis nga SHBA-ja më 28 shkurt.

“Misioni ‘Projektit Liri’ është të “mbrojë anijet tregtare të pafajshme nga agresioni iranian”, ka deklaruar Hegseth.

Sipas tij, projekti është “i përkohshëm në kohëzgjatje”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të dielën se SHBA-ja do të nisë operacionin e nxjerrjes së anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit që kur ka nisur lufta kundër Iranit.

Sipas Trumpit, këtyre anijeve dhe detarëve në to janë duke u mbaruar furnizimet me ushqime dhe me produkte të tjera të nevojshme.

Sipas një agjencie detare të OKB-së, janë 2,000 anije me rreth 20,000 detarë që kanë mbetur të bllokuar në Hormuz që nga 28 shkurti.