Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, lidhur me ofertën për bashkëqeverisje. Haziri ka thënë se deklaratat e Kurtit për LDK-në janë kontradiktore, pasi sipas tij, një ditë pretendon se LDK-ja kërkon shumë, ndërsa ditën tjetër se Vetëvendosje i ka ofruar shumë dhe se LDK-ja është tërhequr.
“Se sa është kontraverse situata brenda VV-së pasqyrohet nga deklaratat e kryetarit të saj. Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’. LDK ka dal dje nga procesi i bashkëpunimit si ofertë drejt shkaktimit të proceseve politike. Ne e mbajmë fjalën për President konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë President dhe Qeveri.
Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi. Kthehu prapa dhe e gjeni vetën shpejtë. Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo. LDK ka qenë dhe mbetet besë e shpresë për këtë Republikë!”, ka shkruar Haziri.
