Haziri: Jemi në bashkëpunim me partinë e parë, po bisedojmë për një marrëveshje

TË FUNDIT

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri është deklaruar për media para seancës konstituive. Ai tha se sot Kuvendi i Kosovës do të konstituohet, ndërsa shtoi se LDK është në bisedime me VV-në për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës, ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e një funksionit të një bashkëpunimi, i cili do të jetë i qëndrueshëm e do t’i japë vendit stabilitet. Sot do të konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor. Për këtë marrëveshje nuk ka”, tha ai.

Haziri nguli këmbë se dallimet mes palëve nuk janë të mëdha.

“Nuk ka çështje që në këtë fazë na dallojnë shumë. Sa i përket politikave sektoriale, agjendës, proceseve politike, nuk është biseduar shumë, nuk është biseduar në hollësi. Jemi në nivelin e diskutimit të parimeve bazë. Ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit. Më rëndësi është të ketë vullnet të mirë”, shtoi Haziri.

Një ditë më herët, deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin deklaruar se partia e tyre kërkon postin e presidentit.