Ka përfunduar takimi i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar mbi përgatitjen e seancës konstituive, e cila është caktuar për 7 gusht.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes që pati me përfaqësues të partive politike tha se ajo shkoi “mirë e mbarë” dhe se u dakorduan për çështjet procedurale për seancën konstituive të 6 gushtit.
Ajo njoftoi se në këtë seancë synohet të zgjidhet kryetari apo kryetarja e Parlamentit dhe nënkryetarët .
E pyetur më pas nga gazetarët nëse duke i pasë numrat Lëvizja Vetëvendosje për Kuvend e Qeveri, a do të thirret menjëherë seancë e re për këtë, si dhe për zgjedhjen e Presidentit.
“A pritet marrëveshje, me LDK-në të paktën?”, u pyet Haxhiu.
Për seancë të re s’u përgjigj, por ngjarjen e djeshme në LDK e konsideroi lajm të mirë.
“Është lajm i mirë që kemi pasë mbledhje të LDK-së dje. Pra, është lajm i mirë që tash mund të vazhdojnë takimet sepse ato ishin të pezulluara deri në sqarim të situatës. S’është në mandatin tim të flas për këtë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë, pra të thirren dhe të mbahen. Të ketë përpjekje maksimale dhe seriozitet dhe që të arrihet një marrëveshje që të zgjidhet Presidenti”.
Haxhiu tha se partia e saj ende s’e ka caktuar se kush do të propozohet për të parin e Kuvendit.
“Kush do të jetë kryetari/ja i Kuvendit ende s’është caktuar. Në prag të 6 gushtit do të dihet se kush do të jetë propozimi i Vetëvendosjes. Pozitat s’i kemi me tapi dhe s’i kemi të përhershme. I takon Vetëvendosjes dhe shumë shpejt do ta bëjnë të ditur”.
