U prit nga nipërit dhe mbesat me pankartën “Mirëserdhe gjyshi jonë”.
Nuk munguan përqafimet. Kishin 3 muaj pa u parë.
Më 1 prill Qamuran Hirda u nis me biçikletë për në Haxh. Por kthimin nuk e bëri me këtë mjet, por me aeroplan.
Rrëfeu për sfidat që kishte gjatë rrugës. Thotë se prej “Detit të Vdekur” nuk ka qenë e lehtë sepse nuk ka pasur mjaftueshëm ujë për pije. Megjithatë është i lumtur që Zoti ia mundësoi ta kryejë obligimin fetar në këtë formë.
Hirda shprehet se vetëm Sirinë e ka kaluar me aeroplan për shkak të luftërave.
Për arsyen e kthimit me aeroplan, e jo me biçikletë, tregoi se familja e tij i kishin bërë surprizë, duke e dërguar edhe bashkëshorten e tij që të kryenin Haxhin së bashku, të cilën nuk deshi ta lërë që e vetme të kthehet në Shkup.
Për shokun e tij Adem Ajiç, me të cilin u nis para 3 muajve, na tregoi se sapo e kanë kryer Haxhin, ai është kthyer në Bosnjë dhe Hercegovinë.
