Cilat janë kornizat ligjore që funksionojnë për sistemin e ashtuquajtur “Safe City”, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes së të dhënave personale, kontrollit të kamerave apo abuzimeve të mundshme me këtë sistem? Kjo ishte pyetja e Ilir Hasanit nga Fronti Evropian drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai tha se është shumë frustruese të marrësh gjobë për vozitje me 51 kilometra në orë, kur kufizimi është 50, dhe se ky sistem ka pasoja të mëdha financiare për qytetarët.
“Toleranca absolutisht minimale që ju e promovoni, ku qytetarëve u vijnë gjoba për 51 apo 52 kilometra në orë, është shqetësuese dhe krijon frikë te qytetarët. Mendoj se asnjë qytetar, madje as ata më të përgjegjshmit në komunikacion, nuk beson se kjo bëhet për shëndetin publik, por mendon se keni ndonjë qëllim tjetër”, tha Ilir Hasani.
Toshkovski u përgjigj se, si mjek, Hasani duhet ta dijë se çfarë pasojash sjell mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, duke shtuar se vendi ka një mesatare shumë të lartë të viktimave krahasuar me mesataren evropiane dhe se projekti tashmë po jep rezultate.
“Është ulur ndjeshëm numri i lëndimeve të rënda trupore dhe numri i të lënduarve në aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit, që nga momenti kur kemi filluar, qoftë edhe me fazën testuese, zbatimin e projektit ‘Safe City’”, deklaroi Pançe Toshkovski.
Në pyetjet parlamentare të opozitës, Riad Shaqiri po ashtu i parashtroi pyetje Toshkovskit lidhur me masat e ndërmarra pas incidentit në ndeshjen e futbollit në Kumanovë. Toshkovski tha se veprohet ndaj çdo personi që shkakton incidente, pa dallim etnie, ndërsa për rastin konkret theksoi se janë shqiptuar masa kundërvajtëse dhe se ka pasur edhe persona të ndaluar.
