Haradinaj: Kosova është në duar të mafias energjetike

TË FUNDIT

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfaqur akuza ndaj Qeverisë Kurti në lidhje me situatën me rrymë në Kosovë. Haradinaj në një publikim në Facebook ka shkruar se Kosova është në duar të mafias energjetike.

”As unë nuk e kam besuar që për një kohë aq të shkurtër të vinte në pah gabimi strategjik i Qeverisë Kurti për anulimin e projektit Kosova e Re në Maj të 2020 i nënshkruar me kompaninë Amerikane Contour Global. Kur ne kemi nënshkruar marrëveshjen në vitin 2017 për investim prej 1.3 miliardë euro, ne kemi qenë të vetëdijshëm se thëngjilli nuk është e ardhmja e energjisë por, Kosova nuk ka pas alternativë të shpejtë që ruan qytetarin, garanton zhvillim ekonomik dhe ruan pavarësinë energjetike të Kosovës. Me 500MW që do të prodhoheshin dhe me 10.000 vende të reja të punës që do të krijoheshin, ne kemi besuar se dëmet në ambient do të ishin të pranueshme, në raport me përfitimet që do të kishte Kosova”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas Haradinajt popullizmi dhe retorika boshe e Qeverisë Kurti ka filluar goditjet e para për popullin e Kosovës dhe dëmet e vendimeve të gabuara strategjike për kohë të gjatë do të i paguajë qytetari i Kosovës.

Haradinaj e ka përmendur edhe çështjen e gazsjellësit amerikan ku ka thënë se do të sjellë pasoja të paparashikueshme për pozitën energjetike të Kosovës dhe jo vetëm./21Media