Reagon kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj
Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës do ta mbrojmë me çdo çmim. Kështu deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj, pas diskutimeve për shkëmbim të territoreve.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi bashkë dhe jemi të fortë! Askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se Rusia dhe Turqia po e mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për qëllime të tyre, në një bisedë telefonike me disa humoristë rusë.
Zaev ka rënë pre e humoristëve Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, të cilët duke përdorur identitete të rreme liderësh shtetesh telefonojnë personalitete të ndryshme dhe zhvillojnë me ta biseda të gjata.
Në bisedë e sipër Zaev duke menduar se po fliste me presidenti i Ukrainës Petro Poroshenkon, ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq kanë rënë dakord, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Merkel është totalisht kundër idesë.
Pas publikimi të bisedës, Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë për media, ku shprehu shqetësimin e saj se ka plane të fshehta për ndarje të Kosovës.
Sipas deputetit Rexhep Selimi, presidenti Hashim Thaçi duke “mashtruar popullin e vet po vazhdon të shtyjë përpara agjendën ruse për ndarje të Kosovës”./21Media
