Haraçina në ujëra të zeza, qytetarët thonë: kështu nuk jetohet!

TË FUNDIT

Komuna e Haraçinës, e cila gjendet vetëm 12-të kilometra larg qytetit të Shkupit, ende nuk e ka rregulluar çështjen e kanalizimit.  Rreth 20 mijë banorë dhe mbi 3 mijë shtëpi çdo ditë ballafaqohen me ujërat e zeza dhe erën e keqe – pasojë e mosrregullimit të kanalizimit. Ata ankohen se është vështirë të jetohet në këtë mënyrë, pasi ujërat e zeza derdhen nëpër rrugë, kalojnë përskaj  shtëpive dhe përfundojnë në kanalin që gjendet në fund të fshatit.

“Na pengojnë, na kanë thënë që kanë me rregulluar, kur do ta rregullojnë nuk e di. Fëmijëve po iu pengon, sepse ata sa po dalin po zhyten, uji i fëlliqur, pastaj po duhet me i la e me i pastru”…”Momentalisht në Haraçinë nuk jetohet, këtu është mjerim, prej mbas luftës është mjerim, e shihni ujërat e zeza prej këtu shkojnë drejt në kanal, kalon nëpër 3-4 qind shtëpi”…”3000 shtëpi katund pa kanalizim, këtë nuk e ke askund në Maqedoni, më i përshtatshëm se këtu kanalizimi  nuk është askund. Me ra tash një roze e vogël shi, me e pa rruga qysh mbushet, thua se është bërë kanal. Kjo punë nuk e di, këtu s’ka as qeveri as parti, bile  për këtë katund. Fëmijët shkojnë në shkollë. Me ardhur në atë rrugë ku jam unë,  5 minuta me qëndrua mbushesh me ere, fëmijëve s’mundesh me i shkua mbas  ka po luajnë në rrugë, ata janë fëmije” – këto janë reagimet e disa qytetarëve me të cilët biseduam për këtë çështje.

Kryetari i Komunës Brahim Ajvazi thotë se kanalizimi është problem i kamotshëm. Sipas tij projekti është bërë gati  dhe po pritet që qeveria ta fus në buxhet për vitin 2016. “Sa i takon kanalizimit, është e vërtetë se problemi është i kamotshëm dhe uji kalon nëpër rrugët e fshatit.  Ne kemi bërë projektin kanalizimit, projekt qe përfshin gjithë Haraçinën diku 20 kilometra. Jemi në kontakt me Ministrinë e Ekologjisë, ku e kemi dërguar një kopje të projektit dhe presim nga qeveritarët në të ardhmen të punojnë edhe për këtë projekt.Në vitin e ardhshëm presim të hyjë në buxhetin e vitit 2016-të”, thotë njeriu i parë i kësaj komune.

Në fund të Haraçinës është kanali ku derdhen një pjesë e ujërave të zeza.  Për ata që jetojnë afër është shumë e vështirë, sidomos në mbrëmje, kur era është e padurueshme. “Po jemi afër këtu na pengon, ka erë, shumë është vështirë, më së  shumti në mbrëmje, lajmërohet era shumë, është vështirë, i hapim dritaret,  por po duhet me i mbyllë prej erës edhe prej mushkonjave.  Prej asaj ere mund të lajmërohet edhe epidemi, po edhe  fëmijët i dëmton edhe në frymëmarrje”, thotë një prej banorëve.

Për këtë kanal është folur shumë, pasi përbënte rrezik për nxënësit që shkonin në shkollë. Ndonëse gjysma e këtij kanali është rregulluar, pjesa tjetër, sipas kryetarit Ajvazi, pritet të rregullohet prej fillimit të vitit të ardhshëm. “Kanali ishte problematik për qytetarët që jetojnë rreth, sidomos për shkollën dhe nxënësit që mësojnë aty, diku 2 kilometra, ku 1 kilometër u bë me beton, kurse 1 kilometër pritët në të ardhmen, ne kemi bërë kërkese, sepse ka kushtuar 1.5 milion euro, presim në të ardhmen që të bëhet. Plani urbanistik detal është në përfundim për Haraçinën, dhe këtu do të marrim 12 milionë denarë. Mendoj që në të ardhmen edhe për kanalizim do të bëjmë ftesë publike deri në 3 milion euro.  Mendoj se kriteret që kërkohen i plotësojmë  dhe do të aplikojmë, vëmendja jonë është e koncentruar më shumë te kanalizimi”, thotë ai.

Përveç kanalizimit, për qytetarët e Haraçinës problematikë janë edhe uji i pijshëm dhe mbeturinat, por sipas Ajvazit, gjithçka varet prej asaj se vallë do të miratohet buxhet për këto nevoja.

Artan Nuhiu