Ndërtimi i një Muzeu të UÇK-së në Haraçinë deri tani ka mbetur vetëm premtim. Kontaktuam kryetarin e kësaj Komune Ridvan Ibrahimin për ta pyetur se ku është problemi. Ai thotë nuk kanë mundur të bëjnë projekt për shkak se deri tani nuk kanë mundur të gjejnë lokacion.
“Ka disa lokacione, ku kemi planifikuar, por ka mungesë të dokumentacioneve. Një ndër to është edhe ish objekti i komunës. Ky objekt është pronë e kishës. Tani jemi në fazë të bartjes së asaj parcele në komunë. Dhe përderisa nuk mund ta rregullojmë në mënyrë administrative nuk mundemi të bëjmë projekt për atë pjesë”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar i komunës së Haraçinës.
Banorët e kësaj komune thonë se ky vend meriton më shumë vëmendje nga Qeveria.
“Haraçina e meriton një vëmendje pak më të madhe nga Qeveria. Kur u nis lufta këtu, e fituam luftën, u vulos lufta. Luftën kur e kanë vizatuar se ku do të bëhet, e kanë vizatuar intelektualët e Kërçovës, Gostivarit, Strugës. Aq të mençur ato thanë pse ta ndezim Kërçovën por, do e ndezim Haraçinën ose Sllupçanin. Lufta u bë e fituam luftën, të gjithë buxhetin e dërguan në Kërçovë, Gostivar, Tetovë e çfarë i mbeti Haraçinës?! Tani vetëm me 24 qershor vijnë i vizitojnë dëshmorët. Me ua dhënë Zoti të flasin dëshmorët t’ju thonë ngadalë nuk iu lëshojë të gjallë. Ne kemi nevojë edhe për muze”, theksoi Naser Jusufi banorë i Haraçinës.
Përveç kësaj banorët u shprehen se Haraçina ka nevojë për më tepër investime si në infrastrukturë, ujësjellës, sport e kulturë..
Ndryshe sipas një hulumtimi i organizatës IDEA, Komuna e Haraçinës ka realizuar 15.15% të premtimeve të dhëna, ndërsa për 66.67% ende nuk kanë filluar punimet.
