Jo larg Kumanovës në një largësi prej 12 kilometrash gjendet fshati Llojan. Është një fshat shqiptar me rreth 650 shtëpi. Fshati shtrihet në pjesën veriore të Maqedonisë, në kufirin midis Maqedonisë dhe Serbisë. Llojanasit merren me bujqësi dhe me blegtori. Por, një brengë e madhe për këta banorë, mbetet mos-hapja e pikës kufitare Llojan – Miratoc, për kalimin e banorëve nga të dyja anët e kufirit.
Ndërkohë ka pasur shumë premtime për hapjen e kësaj pike kufitare, kurse qytetarët e vendbanimeve kufitare detyrohen të bëjnë një rrugë të gjatë prej rreth 75 kilometrash për të arritur në Preshevë, ku mbi 80 për qind e banorëve kanë lidhje familjare, sidomos me fshatin Miratoc por dhe në Luginën e Preshevës, në përgjithësi.
“Mbyllja e vendkalimit në mes fshatit Llojan dhe Miratoc, është preokupim për banorët tanë, si andej kufirit edhe fshatit tonë. Hapja e kufirit ka qenë kërkesë primare e gjithë popullatës. Ndërsa 80 % e popullatës tonë është lidhur familjarisht me ata që jetojnë në Serbi, konkretisht me familjet shqiptare. Prej Llojanit deri në kufirin në Tabanoc, për në Preshevë është 150 km2, ndërsa nëse kalojmë këndej është 1 km e gjysmë”, tha Sokol Islami, banor i fshatit Llojan.
“Ne kemi kërkesa që ky kufi të hapet së paku edhe pse është vonë, sepse ky s’është dashur të mbyllet. Por, ky është mbyllur për shkak se popullata entike shqiptare banon andej e këndej. P.sh Serbët dhe Maqedonasit në Pelincë, e kanë kufi ilegal, ky kufi shërben si objekt manipulimi”, thotë Naser Islami, banor i fshatit Llojan.
“Këto probleme janë prej vitit 1992, çdo ditë e çdo javë e çdo muaj, na mashtrojnë se do të hapët kufiri sot e deri më sot s’ka asgjë; i kemi humbur shpresat në ato premtime që kanë dhënë deri tash. Po presim; problemet janë prezentë gjithëherë, për 3 km ne duhet të sillemi nga Kumanova deri në Preshevë”, thotë Demir Kamberi, Mësues
Sa i përket ekonomisë në Llojan, fshati dikur shquhej për minierën që kishte, me një sipërfaqe prej 10 km.2. Pas pushimit të veprimtarisë dhe tërheqjes së teknologjisë nga kjo minierë, e gjithë struktura ndërtimore si dhe i gjithë deponimi me rreth 1 milion tonelata mbetën të pa prekura nga strukturat shtetërore, duke vënë në rrezik ndotjen e tokave dhe të banorëve të fshatit.
