Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës do t’i çelë punimet në orën 10:00 të së dielës në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, dhe do të mbyllet më 22 tetor.

Kongresi do të transmetohet drejtpërdrejt nga Grupi Mediatik i Kinës (https://www.cgtn.com/tv,https://tv.cctv.com/live/cctv1/index.shtml) dhe Agjencia e Lajmeve “Xinhua” (https://english.news.cn/home.htm). Ai do të transmetohet njëkohësisht edhe nga stacionet televizive dhe radiofonike në mbarë Kinën, si edhe nga uebsajtjet e lajmeve, platformat e mediave të reja, ekranet e mëdha në mjedis të hapur dhe televizionet në celularë.
Të gjitha përgatitjet për Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së kanë përfunduar, bëri të ditur të shtunën zëdhënës i këtij kongresi Sun Yeli.


2 296 delegatë do të marrin pjesë në Kongresin e 20-të Kombëtar, duke përfaqësuar më shumë se 96 milionë anëtarë dhe mbi 4.9 milionë organizata-bazë të PKK-së. Ata do të dëgjojnë e shqyrtojnë një raport nga Komiteti Qendror i 19-të i PKK-së dhe një raport pune të Komisionit Qendror të 19-të për Kontrollin e Disiplinës të PKK-së, si edhe do të zgjedhin anëtarët e Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së.
Duke iu përgjigjue pyetjes së gazetarëve për marrëdhëniet kino-amerikane, zëdhënësi Sun Yeli u shpreh se gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare në 50 vitet e ardhshme është që Kina dhe ShBA-ja të gjejnë mënyrën e duhur për të shkuar mirë. Kyçi për këtë, vuri në dukje zëdhënësi, është respekti i ndërsjellë, bashkëjetësa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella.
Gjithashtu, të shtunën pasdite, zëdhënësi i Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës Sun Yeli e njohu medien në një konferencë për shtypin në Pekin me agjendën e Kongresit.
Sun Yeli u shpreh se në këtë kongres do të rishikohet Statuti e PKK-së, ku do të përfshihen teoria, pikëpamjet e mendimet e rëndësishme strategjike të përcaktuara në raportin e Kongresit të 20-të. Sipas tij, rishikimi i Statutit është një traditë e PKK-së.
Sun Yeli tha se ndërtimi i shoqërisë relativisht të begatë tani në Kinë i ka tejkaluar parashikimet e fillimit të Reformës e Hapjes dhe e ka arritur objektivin e paraqitur në Kongresin e 18-të të Partisë.
Sipas tij, në vitin 2020 PBB-ja e Kinës arriti në 101.6 trilionë juanë, duke ruajtur vendin si ekonomia e dytë në botë, ndërsa PBB-ja për frymë i kaloi 10 mijë dollarët. Ndërkohë, shtresa e mesme kineze i kaloi 400 milionët, duke u bërë grupi me të ardhura të mesme më i madh dhe me potencialin më të fuqishëm në botë. Në të njëjtën kohë, koeficienti “Engel” i banorëve të qytetit e të fshatit u ul përkatësisht në 29.2 për qind dhe 32.7 për qind, çka shënon një ngritje të dukshme të cilësisë së jetesës së popullit. Sun-i theksoi se shoqëria relativisht e begatë ka të bëjë jo vetëm me shifrat e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë, por edhe me përmirësimin e jetesës së shtresës së varfër, gjë që është më e rëndësishme. Deri në fund të vitit 2020, të 98 milionë e 990 mijë banorët e varfër në zonat rurale, të 832 kontetë e varfra dhe të 128 mijë fshatrat e varfër dolën nga skamja. Kjo është hera e parë në historinë e Kinës dhe konsiderohet si mrekulli në historinë e zbutjes së varfërisë të njerëzimit.
Sun theksoi se Kina do të zbatojë në mënyrë të palëkundur një hapje në sferë më të madhe, në fusha më të gjera dhe nivel më të thellë.
Ai shtoi se Kina do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të “konsultimeve, ndërtimit e ndarjes së përbashkët” për të promovuar arritjen e pandërprerë të rezultateve prej nismës “Një brez, një rrugë”.
Sun Yeli tha se gjatë 9 vjetëve pas paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me mbi 140 vende e më shumë se 30 organizata ndërkombëtare. “Një brez, një rrugë” është bërë një produkt publik global i mirëpritur dhe një platformë e rëndësishme për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Deri në qershor të këtij viti, vëllimi i tregtisë mes Kinës e vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” arriti në rreth 1.2 trilionë dollarë, bëri të ditur zëdhënësi, duke shtuar se shumë projekte bashkëpunimi u kanë sjellë vendeve përkatëse përfitime në zhvillimin ekonomik e përmirësimin e nivelit të jetesës.
