Hapja e biznesit të ri me 5000 euro! Murati: Vetëm në vitin 2022 janë themeluar 1666 kompani

TË FUNDIT

2002 persona llogariten si të vetëpunësuar nëpërmjet projektit për vetëpunësim vetëm gjatë vitit 2022. Kështu thotë drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati, ndërsa shton se me ndihmën prej 5000 eurove që të rinjtë marrin, bizneset që hapin mbijetojnë në treg madje edhe zhvillohen.

“Gjatë vitit 2022 kanë shfrytëzuar mjete nga kjo masë e vetëpunësimit, respektivisht janë themeluar 1666 kompani. Mund të them që mbi 98% të kompanive që janë themeluar si rezultat i grantit janë ekzistuese, mbijetojnë dhe vazhdojnë të zhvillohen”, tha Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Punësim.

Murati shton se vetëm në vitin 2022 përmes masave të ndryshme që ofron Agjencia për punësim janë përfshirë  rreth 12 mijë persona.

Në drejtim të mbështetjes së të rinjve Murati tregon se Maqedonia e Veriut është e vetmja në rajon që ofron masën e Garancisë për të Rinjtë.

“Sa i përket avancimit të të rinjëve, respektivisht mundësive që ofron Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm që nuk është anëtare e BE-së ndërsa implementon masën e garancionit për të rinjtë.  Garancioni për të rinjtë do të thotë që çdo person i ri deri në moshën 29 vjeçare i cili paraqitet në Entin për Punësim, brenda 4 muajve Agjencia i ofron punë konkrete apo një nga masat që i implementon Agjencia për Punësim”, theksoi Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Punësim.       

Ndryshe, për shkak të interesimit të madh, këtë vit buxheti i projektit për vetëpunësim nëpërmjet granteve do të jetë rreth 3 milionë euro më i lartë se ai i vitit të kaluar.