Hapet shoqata “Edu Lumina”. Do të shërbejë për persona të verbër dhe me nevoja të posaçme

TË FUNDIT

Shoqata “EDU LUMINA” është shoqata e sapoformuar për persona të verbër dhe me nevoja tjera të veçanta. Do të ketë për qëllim që të përfshijë këto persona në aktivitete edukative, teknologjike, motivuese, për socializim dhe arsimim. Themeluesi i kësaj shoqate Fisnik Selimi, shprehet se fillimisht pret të ketë rreth 50 anëtarë, e në të ardhmen, ky numër të rritet. Mund të anëtarësohet dhe të kontribojë kushdo.

“Sot është ditë e rëndësishme. Ne kemi arritur që të hapim shoqatën Edu Lumina që funksionon për persona me nevoja të veçanta dhe nevoja të tjera të ndryshme. Me një fjalë kjo do të jetë si shoqatë inkluzive. Do t’i bëjë zhvillimet dhe parimet inkluzivisht për socializimin e shumtë për personat me nevoja të veçanta. Kjo do të merret për linjën arsimore edukative dhe teknologjike, për aktivitete të ndryshme inspiruese, integruese dhe motivuese”, u shpreh Fisnik Selimi nga kjo shoqatë.


Derisa qëndruam te “Edu Lumina”, njoftuam të riun Aldin Murati nga Kumanova. Nuk ka prituar të vijë në Shkup në hapjen solemne të mikut të tij Fisnikut. Për TV21, tregon vështirësitë që hasë në qytetin e tij të Kumanovës.

“Kushte s’ka kurgja. Kushte s’ka hiç. Une në shtëpi dhe në mahallë zakonisht dal vet. E në rrugët që nuk i njoh dhe nuk i di, nuk dal. Po dal ose me prindërit ose me vëllezërit.
A shkon në shkollë?
Po, në Shkup, në Kisella Vodë.
Kush të sjellë këtu?
Babai dhe Mami.
A nuk ta mbulon shteti transportin?
Transportin vetëm paratë e rrugës”, tha qytetari Aldin Murati.


Njoftuam edhe asistentin e Fisnikut, Ismet Selmanoviq. Është i angazhuar nga Kryqi i Kuq, dhe ka për detyrë të ndihmojë Fisnikun për nevojat e tij ditore jashtë shtëpisë.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se një person me shikim të dëmtuar nuk është person i verbër. Person me shikim të dëmtuar është person i cili nuk sheh por kupton dhe di. Nëse këtij personi i’a ofron të gjithë mbështetjen mund të bëjë shumë punë të mira. Vende ku nuk ka ku të lëvizim, vetura të parkuara, rrugë të ngushta. Në autobusë përshembull nuk ka, në stacionet e autobusëve nuk ka sinjale me zë”, tha Ismet Selmanoviq, asistues nga Kryqi i Kuq.


Si për personat e verbër apo me shikim të dëmtuar, edhe për personat tjerë me aftësi të kufizuara, pengesat kryesore vazhdojnë të jenë trotuaret e uzurpuara nga mallërat dhe veturat, mungesa e patekave daktile, mungesa e sinjalistikës në semaforë e shpesh ndodhë që në institucionet publike që të mos ketë ashensorë, ose të njëjtat të mos punojnë.