Hapet pishina sportive në vlerë të 1 milionë € në Çair! Mexhiti: Rreth 1800 nxënës do ta kenë në program shkollor notin

TË FUNDIT

Në Çair është përuruar pishina e parë sportive, me investim prej 1 milion euro, përcjell TV21. Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti njoftoi se po ndërtohet edhe një pishinë tjetër në shkollën “7 Marsi”, ndërsa tha se rreth 1800 nxënës do ta kenë si program shkollor notin.

“Çairi prej sot pra është për herë të parë me pishinë funksionale, e cila është e dedikuar për fëmijët. Investimi është 1 milion € e ndihmuar nga Qeveria, bashkërisht me Ministrinë e Sportit. Kjo është pishina e parë që prej sot është në funksion, ndërsa e dyta e kemi filluar në oborrin e shkollës “7 Marsi” dhe mendojmë se me këto dy pishina, do të jenë mjaftueshëm për kapacitetet për fëmijët e Çairit. Pra po investojmë tek shëndeti, po investojmë tek fëmijët. Prej vitit të ardhshëm shkollor klasa e 5-të dhe e 6-të do ta ketë në program shkollor, diku 1800 fëmijë vetëm klasa e 5-të dhe e 6-të që do të kenë edhe në program shkollor, pra edhe të obligueshëm notin. Po ashtu, veç më kanë filluar iniciativat edhe për klube të notit që kanë funksionuar në pishinat e tjera në qytet, tash do të jenë në komunën e Çairit”, tha mes tjerash Mexhiti.