‘La Dua’ është një restorant i përkohshëm që u hap në Meksiko Siti për të festuar mbërritjen e yllit Dua Lipa, e cila po përmbyll turneun e saj Radical Optimism në kryeqytetin meksikan. Restoranti do të jetë i hapur deri më 5 dhjetor, dhe gjatë kësaj periudhe, fansat mund të shijojnë ushqime të ndryshme të përgatitura për këtë rast special.
Në menu përfshihen disa nga ushqimet më të njohura meksikane, përfshirë tre lloje të takove. Ndër to veçohet ‘Taco Radical Optimism’, i cili vjen me mish viçi dhe djath të shkrirë. Ky taco, që kushton 13.60 dollarë, shoqërohet me supë dhe një pije sipas dëshirës.
Shefi i restorantit ka deklaruar se Dua Lipa është këngëtarja e tij e preferuar, dhe se ky restorant përfaqëson një eksperiencë unike për të gjithë vizitorët. Dizajnuesja Alejandra Avilés shtoi se gjithçka në restorant është organizuar shumë mirë.
Përgjegjësit e ‘La Dua’ vlerësojnë se deri tani rreth 800 vizitorë kanë shijuar ushqimet, dhe presin që në ditët e ardhshme numri të rritet edhe më shumë.
Një nga vizitueset, Fernanda Reyes, studente e Administrimit të Biznesit, tha se ndihet shumë mirë atje dhe se përvojën e ka ndjerë sikur Dua Lipa ka hapur personalisht një restorant takosh për fansat. “E ku ka më mirë për meksikanët se takot?” shtoi ajo.
Përveç ushqimeve, restoranti ofron edhe dhurata për vizitorët, përfshirë një kalendar për vitin 2026 me fotografi të Dua Lipës.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Statistika të Meksikës, tako është ushqimi më i preferuar i meksikanëve: 70% e tyre e zgjedhin si ushqim kryesor, ndërsa 90% e popullsisë konsumon tako të paktën një herë në javë. Populariteti i këtij ushqimi reflektohet edhe në numrin e ‘takerive’ në Meksiko, që arrin në 10.900.
