Sot në kuadër të Festivalit “HAPU”, para Teatrit të Kosovës, do të jenë valltarët e “Albania Dance Meeting-Festival”, të cilët do të prezantohen me një produkt artistik mbi temën e kërkimit të një hapësirë jetike për të mbijetuar, e ri ardhur në vëmendje nga ngjarjet e fundit të refugjateve sirianë që po tronditin Evropën dhe mbarë botën.
Të përgatitur nga koreografi Gjergj Prevazi, në një kohëzgjatje prej rreth 35 min, 8 kërcimtarët Rosella Pellicciotti, Robert Nuha,Akreoma Saliu, Fjorald Doci, Alba Hoxha, Evisa Lazri, Lirjana Alhasa dhe Sandiola Dizdari, ekzekutojnë lëvizje të personalizuara që kërkojnë të tejçojnë idenë e përpjekjes se çdo individi të gjallë mbi tokë për të mbijetuar, për t’i krijuar vetes kushte më të mira jetese, shkollimi, punësimi, sigurie, mjekimi, qetësie shpirtërore e intelektuale, dhe në fund mundësi jetëgjatësie. Kombinime të solove, kompozimeve dyshe, treshe e në grup, në një hapësirë të kërkuar skenike, paraqesin strukturën koreografiketë kësaj performance kontemporane.
