Hapen fusha të tenisit në Çair

TË FUNDIT

Qytetarëve të Çairit u është rikthyer fusha sportive, e cila kohëve të fundit ishte e katandisur dhe e boshatisur. Është një prej nismave të komunës për të revitalizuar hapësirat rekreative në këtë pjesë të Shkupit, të cilat janë lënë pas dore vite me rradhë.

Një javë më parë, qytetarët reaguan lidhur me rastin e një fushe sportive në lagjen Tophanë, po ashtu në komunën e Çairit, pas dyshimeve të tyre se në vend të saj mund të ndërtohej një objekt banimi. Ky problem nxiti reagimin e menjëhershëm të komunës, e cila sot riktheu edhe këtë terren sportiv, për të qenë në dispozicion të qytetarëve.

Zëdhënësja e kësaj komune, Kaltrina Zekolli, deklaroi se këto hapësira u takojnë qytetarëve dhe se nuk do të ketë asnjë lloj tentimi për uzurpim. “Jemi mbledhur këtu që të bëjmë ringjalljen e terreneve  të tenisit në fushën e Tophanës, më saktësisht në Komunën e Çairit. Komuna e Çairit vazhdimisht investon në sport, këtë e dëshmojnë edhe sukseset që kanë arritur klubet sportive të cilët veprojnë dhe gravitojnë në Komunën”, deklaroi ajo.


Në këtë ngjarje ishte edhe tenisti i njohur Shëndrit Deari, i cili tha se do të angazhohet për hapjen e një klubi të tenisit në komunën e Çairit. “Së pari e përshëndes iniciativën e kryetarit të Komunës, për të ringjallur tenisin në Çair, dhe mendoj se jam personi, njeriu adekuat për këtë punë që të ringjallet tenisi në Çair. Në të ardhmen mendojmë që të formojmë një klub tenisi ku do të kenë mundësi të stërviten edhe lojtarë profesional, poashtu edhe lojtarë rekreativ. Besoj se në të ardhmen do të bëjmë një punë të mirë këtu dhe do të lulëzoj tenisi edhe këtu si në lagjet tjera në Shkup”, tha Deari.

Autoritetet komunale theksuan se do të angazhohen edhe për projekte të tjera dhe fusha të reja sportive.


Blerim Ismaiili