Hap i madh drejt sovranitetit digjital, Gjermania prezanton fabrikën evropiane të inteligjencës artificiale

TË FUNDIT

Gjermania ka inauguruar një nga fabrikat më të mëdha të inteligjencës artificiale në Evropë, me synimin që vendi dhe Bashkimi Evropian të forcojnë pozicionin e tyre në garën globale për zhvillimin e inteligjencës artificiale sovrane.

Projekti, i njohur si “Reja Industriale e Inteligjencës Artificiale”, u prezantua të mërkurën në Mynih, pas rreth gjashtë muajsh ndërtimi. Ai është zhvilluar nga Deutsche Telekom, në bashkëpunim me gjigantin amerikan të teknologjisë NVIDIA dhe partnerin e qendrës së të dhënave Polarise.

Sipas autoriteteve gjermane, objekti është projektuar për të ofruar kapacitete të avancuara llogaritëse për inteligjencën artificiale, duke u shërbyer bizneseve, studiuesve dhe institucioneve publike. Një nga synimet kryesore është që të dhënat dhe proceset digjitale të mbeten nën juridiksionin evropian, duke garantuar siguri dhe pavarësi teknologjike.

Drejtori ekzekutiv i Deutsche Telekom, Tim Höttges, tha se ky projekt është dëshmi e ambicieve të Evropës në fushën e inteligjencës artificiale.
“Ne po investojmë në inteligjencën artificiale, në Gjermani si vendndodhje biznesi dhe në Evropë. Po dëshmojmë se Evropa mund ta bëjë këtë,” deklaroi ai.

Objekti funksionon me rreth 10 mijë procesorë grafikë NVIDIA Blackwell, të cilët ofrojnë deri në 0.5 exaFLOPS fuqi llogaritëse. Sipas Deutsche Telekom, kjo kapacitet do të ishte i mjaftueshëm që 450 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian të përdorin njëkohësisht një asistent të inteligjencës artificiale.

Me këtë projekt, Gjermania synon të shndërrohet në një nga qendrat kryesore të zhvillimit të inteligjencës artificiale në Evropë dhe më gjerë.