Forum Ekonomik i Vjenës “Perspektiva të reja për Maqedoninë e Veriut” dhe tentativë për t’i bindur kompanitë austriake që të investojnë në vendin tonë. Delegacioni i Maqedonisë udhëhiqet nga kryeministri Zaev, kurse marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri Koco Angjushev dhe ministrat, Dragan Tevdovski dhe Arbër Ademi. Krahas diskutimit për investime të mundshme, Forumi Ekonomik u shfrytëzua si rast për të dërguar mesazhe se Maqedonia e Veriut meriton shpërblim për atë që e ka bërë periudhën e kaluar. Brenda 22 muajve pasi Qeveria aktuale erdhi në pushtet, e kemi kthyer demokracinë dhe institucionet funksionale demokratike nga ajo që quhej “shtet i kapur”, tha Zaevi në fjalimin e rij në Forumin, duke shtuar se ato prioritete janë identike me agjendën tonë për anëtarësim në BE. Eurokomisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han, ishte shumë i qartë gjatë shpjegimit të tij. Ai pret që vendi të marrë datë për nisjen e bisedimeve me BE-në dhe deri në fund të vitit të hapen edhe kapitujt e parë.
“Unë jam i bindur se deri në fund të vitit do t’i hapni kapitujt e parë. Sipas Metodologjisë së re, ata do të jenë kapitujt 23 dhe 24. Tingëllon pak si çështje teknike, por bëhet fjalë për sundimin e së drejtës dhe gjithçka që lidhet me të. Do të fillojmë me hapjen e këtyre kapitujve dhe brenda disa viteve do t’i përfundojmë bisedimet tona, duke i mbyllur këta kapituj”, theksoi Euroambasadori Johanes Han.
Raportin për Maqedoninë e Veriut Komisioni Evropian do ta publikojë javën e ardhshme. Ai do të jetë tregues për progresin e bërë gjatë vitit të kaluar, tha euro- ambasadori në Shkup, Samuel Zhbogar. Edhe pse vendimin për marrjen e datës për fillimin e negociatave, e sjellin vendet anëtare të BE-së, Zhbogari shpreson se vendi do të marrë raport pozitiv, por edhe datë për negociata.
“Konsideroj se vitin e kaluar vendi me të vërtetë tregoi përkushtim ndaj Bashkimit Evropian dhe reformave. U sollën disa vendime të rëndësishme, edhe opozita, edhe Qeveria punojnë në ligje shumë të rëndësishme dhe konsideroj se keni me çka të lëvdoheni. Gjithashtu shpresoj se do të jeni shembull në rajon si vend i cili u është përkushtuar reformave”, potencoi Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar.
Marrëveshja e Prespës dhe zgjedhjet e suksesshme presidenciale janë theksuar si shembull pozitiv, por mbetet të shihet nëse mjaftojnë për marrjen e raportit pozitiv dhe datës për fillimin e negociatave, duke ditur se reformat vonojnë, mbetet të shohim.
Përgatiti: Edin Rastoder
