Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin.
Ai në një deklarim për media ka thënë se përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë.
Hamza shtoi se ata do të qëndrojnë në opozitë, duke shtuar se të gjitha partitë politike nuk mund të zgjedhin presidenin pa Lëvizjen Vetëvendosje.
“Do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda kuvendit, në interes të qytetarëve. Për të gjitha ato çështje me interes unë kam insistuar dhe premtuar se vota e PDK-së do jetë pro, duke përfshirë marrëveshje financiare, ndërkombëtare, që janë në interes të qytetarëve. PDK do a ketë rolin e vet konstruktiv si parti opozitare. Të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV. LVV duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre. Ne i dëshirojmë sukses z. Kurti dhe të gjithë atyre që do të takohen e do të bisedojnë për t’i dhënë vendit institucione. Përveç PDK-së, në Kuvend janë edhe 98 deputetë të tjerë”, ka thënë Hamza para gazetarëve.
