Hamza: Nga sot PDK-ja hyn në një fazë tjetër të veprimit politik

TË FUNDIT

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në sallën e Kuvendit, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, tha  Hamza.

Kryetari i PDK-së theksoi se situata e krijuar nuk është më një përplasje e zakonshme politike.