Pretendimet që u shpalosën në opinionin publik se me pagat tona e dëmtojmë buxhetin, janë tendencioze, sepse ne nuk financohemi nga arka e shtetit, por nga mjete që i marrim për kryerjen e kontrollit të fluturimeve. Nga shuma e përgjithshme, 68% shkojnë për pagat tona, edhe pse janë më të vogla në rajon, ato janë paga sipas standardeve ndërkombëtare. Kështu deklaroi Fahrudin Hamidi, një nga drejtorët ekzekutiv të M-NAV-it, për të cilin opozitarja VMRO-DPMNE në kuadër të aferës “Parazitët” publikoi rrogat që i merr udhëheqësia e Navigacionit të Maqedonisë. Hamidi shton se tani pagat e tyre janë më të larta për 30%, sepse po u kthehet përqindja që e kanë ulur gjatë krizës së pandemisë.
“Tregojmë se ne nuk jemi shfrytëzues të buxhetit të RMV-së, por i shfrytëzojmë të gjitha të ardhurat që na vijnë sipas Marrëveshjes me Eurokontroll. Rroga ime u publikua, kjo është gjendja për momentin për shkak të faktit se nga shtatori dhe tetori i kthejmë rrogat kur M-NAV ishte në gjendje të vështirë financiare ndërsa në shtator dhe tetor janë paguar 30% të rrogave të ulura për 2021.”- deklaroi Fahrudin Hamidi, drejtor ekzekutiv i M-NAV.
Hamidi shtoi se përveç për rrogat, mjetet e nevojshme për investime po sigurohen nga Eurokontroll për kontrollet e bëra për fluturimet, po ashtu ata vetë i financojnë trajnimet e kuadrove të reja. Sa u përket informacioneve të plasuara se ka pasur përpjekje që si kontrollues për fluturime të punësohen kuadro partiake në vend të atyre me nota më të mira, ai mohon dhe thotë se janë zgjedhur kandidatët me rezultate më të mira në testet.
“Dje nënshkruam marrëveshje për punësimin e tetë studentëve që u renditën më mirë dhe që do të dërgohen në trajnim. Ne dje morëm informacion nga kompania daneze që u zgjodh përmes tenderit ndërkombëtar, se do të fillojnë me trajnim në fund të këtij muaji”- tha Fahrudin Hamidi, drejtor ekzekutiv i M-NAV.
VMRO-DPMNE përmes aferës Parazitë, akuzoi se kryesia e M-NAV, duke i quajtur funksionarë qeveritarë, kanë marrë rrogë prej 345 mijë denarëve.
