Halili në Jerusalem për t’u njoftuar me arritjet e fundit teknologjike, shqyrtohet mundësia për bashkëpunim me Izraelin dhe vendet europiane

TË FUNDIT

Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili po qëndron për vizitë zyrtare në Izrael, ku po prezantohen arritjet më të fundit teknologjike. Halili në Jeruzalem u takua me Marina Zanci, drejtoreshë e Agjencisë Evropiane HaDEA (Agjencia Ekzekutive Evropiane e Shëndetit dhe Digjitalit) si dhe me Deni Sheker, drejtor i Agjencisë Izraelite për digjitalizimin, industrinë dhe hapësirën.

“Ky rrjet ekspertësh nga e gjithë Evropa do të ketë mundësinë në partneritet për të aplikuar për projektet kryesore HORIZON EUROPE nga të cilat do të përfitojë ekosistemi i biznesit dhe akademia në vendin tonë”, thotë Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Halili gjithashtu është takuar edhe me Dr. Einat Magal nga Agjencia e Izraelit për Inovacion.

“Diskutuam për bashkëpunime në fushën e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Përforcimi i raporteve mes dy institucioneve tona, do të mundësojë rritjen e zgjidhjeve inovative për lehtësimin e punës së institucioneve tona dhe ekosistemit të bizneseve në vend”, ka shkruar Halili pas takimit me Magal.