Hakerat po shtojnë sulmet ndaj sistemeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, duke paraqitur rreziqe të reja për kujdesin mjekësor ndërsa përshpejtohet pandemia globale e koronavirusit.
Paralajmërimet nga autoritetet amerikane dhe studiuesit e sigurisë tregojnë për një valë sulmesh kibernetike ndaj spitaleve të cilat po përballen me një numër në rritje të pacientëve me infeksione virale.
Një paralajmërim i pazakontë këtë javë nga FBI-ja, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Shërbimeve Shëndetësore, e theksoi kërcënimin. Të tre agjencitë “kanë informacion të besueshëm mbi kërcënimin në rritje dhe të afërt të krimit kibernetik për spitalet dhe ofruesit e kudesit shëndetësor në SHBA”, citohet në paralajmërim, duke u bërë thirrje sistemeve të kujdesit shëndetësor “të marrin masa paraprake të arsyeshme dhe në kohë për të mbrojtur rrjetet e tyre nga këto kërcënime “.
Raportet e mediave citojnë disa spitale amerikane të prekura nga Ransomuer (softuer me qëllim të keq përmes të cilit kërkohet një shpërblim që sisitemi të funksionojë përsëri).
Njëri prej tyre, Qendra Mjekësore e Universitetit të Vermontit, tha se po punonte me organet e zbatimit të ligjit lidhur me “një sulm tashmë të konfirmuar kibernetik që ka prekur disa nga sistemet tona” që ka “efekte të ndryshueshme” në kujdesin e pacientit.
Daniel dos Santos i firmës së sigurisë kompjuterike “Foreskaut” tha që qendrat mjekësore ishin veçanërisht tërheqëse për hakerat dhe se të paktën 400 spitale ishin prekur javët e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani.
“Hakerat janë të vetëdijshëm se” kujdesi shëndetësor ka të ngjarë të paguajë një shumë shpërblimi sepse shërbimet e tyre janë kritike “, tha Dos Santos.
“Ndalimi i shërbimeve do të thotë që njerëzit me pak fjalë do të vdesin”.
Për spitalet që nuk mund ose nuk duan të paguajnë, “kjo do të nënkuptojë kthimin e sistemit të letrës dhe lapsit, që mund të shkaktojë një ngadalësim të madh”, shtoi ai.
Foreskaut në raport thotë se megjithëse shumë spitale kanë sisteme kompjuterike të azhurnuara, shumica përdorin një larmi pajisjesh të lidhura siç janë monitorët e pacientëve ose skanuesit CT që “veprojnë si lidhje të dobëta të rrjetit” sepse ato transmetojnë të dhëna përmes kanaleve jo të besueshme.
Dos Santos dhe studiues të tjerë thanë se kishin gjetur të dhëna për rreth tre milion pacientë amerikanë në internet, “të pambrojtura dhe të aksesueshme për këdo që di t’i kërkojë”, citohet në raportin e Foreskaut.
Ransomuer ka qenë një çështje sigurie për shumë vite dhe kujdesi shëndetësor ka qenë shpesh objektivi i tyre. Sulmi i shtatorit ndërpreu Shërbimet Shëndetësore Universale, të cilat operojnë spitalet në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani.
Por ekspertët e sigurisë thonë se sulmet po përshpejtohen ndërsa përkeqësohet pandemia.
Studiuesit në firmën e sigurisë “Çek Point” thonë se hulumtimi i tyre tregon se kujdesi shëndetësor është industria më intriguese e ransomuer, me një rritje prej 71 për qind të sulmeve ndaj provajderëve të SHBA-së në tetor, një muaj më parë.
“Çek Point” njoftoi se kishte një rritje të konsiderueshme në sulmet e ransomuer ndaj spitaleve në Azi, Evropë dhe në Lindjen e Mesme gjithashtu. Globalisht, firma njoftoi, se sulmet ransomuer u rritën me 50 për qind në tremujorin e tretë krahasuar me gjysmën e parë të këtij viti.
Shumë prej sulmeve përdorin një lloj ransomuer të njohur si Rjuk (Ryuk), për të cilin studiuesit e sigurisë thonë se është i lidhur me kriminelët kibernetikë të Koresë së Veriut ose Rusisë.
Qendra kibernetike e qeverisë kanadeze lëshoi një paralajmërim të ngjashëm në fillim të tetorit, duke paralajmëruar Ryuk ransomware ” e cila ndikon në subjekte të shumta, duke përfshirë qeveritë komunale dhe organizatat e shëndetit publik dhe të sigurisë në Kanada dhe jashtë saj”.
“Problemi me ransomuer po përkeqësohet dhe duhet të gjendet patjetër një zgjidhje ,” tha Bret Kalou i firmës së sigurisë “Emsisoft”.
“Ne besojmë se zgjidhja është një ndalim për të paguar kërkesat. Ransomuer ekziston vetëm sepse është fitimprurës. Nëse fluksi i parave të gatshme ndalet, sulmet do të ndalen dhe spitalet nuk do të jenë më të rrezikuara”.
