Gypat u vendosën, rruga në Seravë mbeti e paasfaltuar! Komuna e Çairit: Puna u ndal shkaku i motit

TË FUNDIT

Kjo është  rruga “Pero Toshev” në lagjen Seravë të Komunës së Çairit.  Banorët e saj ankohen se asnjë ditë nuk mund të kalojnë pa i përlyer këpucët me baltë a pluhur. Punët kanë nisur para një viti dhe ende nuk janë përmbyllur.

-Na mbyti balta, na mbyti pluhuri, kjo është  e pakuptueshme.

-Më herët si ka qenë?

-Po asnjëherë nuk ka qenë mirë e gjitha me gropa duke gropuar.

-Sa e keni të vështirë të kaloni çdo ditë këtej?

-Vështirë të kalojmë sepse tjetër gjë jo.

-Kur bie shi?

-Bëhet këtu si pishinë, mblidhet uji si liqe. Kemi mall njëherë me këpucë të pastra të ecim

-Besoj një vit është bërë.

-Më herët si ka qenë rruga?

-Po të paktën ka qenë e asfaltuar.

-Si kalon me veturë?

-Shumë problem sidomos kur bie shi apo tani dimrit që do bjerë borë, edhe më problem!

-Sa ka kohë i ka ndërprerë punimet komuna?

-Prej që u prish koha 1 javë e gjysmë punëtorët nuk janë parë.

-Pa punuar nuk bëhet asgjë, këtë e kemi kërkuar 60-70 vjet.

-Domethënë asnjëherë nuk ka qenë e rregulluar?

-Jo, jo asnjëherë.

-Pa inxhinier, pa mbikëqyrje,  kush si ka dashur ka punuar dhe gjithkujt që kanë dashur i kanë marrë të holla, a dëshiron të lidhesh (bashkëpunosh)? Po, kaq të holla. Nuk është në rregull kjo, dikush i ka paguar por më dhimbset ai që i ka dhënë ato të holla për këtë rrugë.

Nga Komuna e Çairit thonë se punimet janë ndalur shkaku i motit dhe se së shpejti mund të rinisin.

“Për momentin ekipet e punës janë në terren në Lagjen Seravë dhe po punojnë në përgatitjen e rrugëve për asfaltim, gjë që ishte anulua për disa ditë shkaku i kushteve klimatike. Shpresojmë se kushtet klimatike të jenë të volitshme dhe në ditët në vijim të bëjmë asfaltimin”, thonë nga komuna e Çairit.

Para një viti në këtë lagje kishte filluar instalimi i rrjetit ujësjellësit dhe kanalizimit, e më pas duhej të vazhdonte asfaltimi i rrugës, por edhe pse ka kaluar një kohë, punimet ende nuk kanë përfunduar tërësisht.