Junta ushtarake e Nigerit ka refuzuar të martën një përpjekje të fundit diplomatike për të riinstaluar presidentin e rrëzuar nga pushteti, duke hedhur poshtë kërkesën për një vizitë të propozuar nga përfaqësuesit e bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore, Bashkimit Afrikan dhe Kombeve të Bashkuara, sipas një letre të parë nga Associated Press.
Letra përmendte si justifikim “arsye të dukshme sigurie në këtë atmosferë kërcënimi” kundër Nigerit, dy javë pasi ushtarët kryengritës rrëzuan udhëheqësin e zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit.
Blloku rajonal i njohur si ECOWAS kishte kërcënuar se do të përdorte forcën ushtarake nëse junta nuk do të rivendoste Presidentin Mohamed Bazoum deri të dielën, një afat që u shpërfill.
Të hënën, Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland u takua me krerët e grushtit të shtetit. Nuland tha se ata refuzuan ta lejonin atë të takohej me Bazoum, të cilin ajo e përshkroi se ishte nën “arrest shtëpiak virtual”.
Ajo i përshkroi oficerët kryengritës si të pandjeshëm ndaj apeleve për të nisur negociatat dhe për të rivendosur sundimin kushtetues.
“Këto biseda ishin jashtëzakonisht të sinqerta dhe nganjëherë mjaft të vështira sepse, përsëri, ne po i shtyjmë për një zgjidhje të negociuar. Ata janë mjaft të vendosur në pikëpamjen e tyre se si duan të vazhdojnë, “- u tha Nuland gazetarëve në një telefonatë nga Niamey, kryeqyteti i Nigerit.
ECOWAS pritet të takohet sërish të enjten në Abuja, kryeqyteti i Nigerisë fqinje, për të diskutuar situatën. Kryeqyteti i Nigerit u shfaq më i tensionuar të martën, me forca sigurie që kontrollonin automjetet.
Përfshirja diplomatike e Uashingtonit nuk ka për qëllim të minojë përpjekjet e ECOWAS, tha Rida Lyammouri, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën e Politikave për Jugun e Ri.
“Ndryshe nga ECOWAS, SHBA-ja ende nuk ka dërguar ndonjë mesazh frikësues pavarësisht se ka deklaruar publikisht mbështetjen për grupin rajonal.”
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur për Radio France International të hënën, tha se diplomacia është rruga më e preferuar. Ai nuk mund të spekulonte për të ardhmen e 1,100 ushtarakëve amerikan në Niger.
“Ajo që po shohim në Niger është jashtëzakonisht shqetësuese dhe nuk i ofron asgjë vendit dhe njerëzve të tij. Përkundrazi, ndërprerja e rendit kushtetues na vendos ne dhe shumë vende të tjera në një pozicion ku duhet të ndalojmë ndihmën tonë, mbështetjen tonë dhe nga kjo nuk do të përfitojë populli i Nigerit”,- tha Blinken.
Nigeri ka qenë një partner vendimtar për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera evropiane, të cilat e shihnin atë si një nga kombet e fundit demokratike në rajonin e gjerë Sahel, në jug të shkretëtirës së Saharasë, me të cilin ata mund të bashkëpunonin për të luftuar dhunën në rritje të xhihadistëve të lidhur me al Kaida dhe grupin e Shtetit Islamik.
Shtetet e Bashkuara nuk i kanë quajtur ende veprimet e juntës një grusht shteti, gjë që do të thotë se Nigeri do të humbiste qindra miliona dollarë në ndihma ushtarake dhe ndihma të tjera. Kjo do të nënkuptonte gjithashtu edhe tërheqjen e SHBA-së nga një bazë e madhe dronësh që ndërtoi në Niger për të monitoruar ekstremistët, gjë që analisti Benedict Manzin i konsulencës së rrezikut Sibylline tha se “SHBA-ja do ta urrente që ta bënte”.
Analistët dhe diplomatët thonë se dritarja për ndërhyrje ushtarake po mbyllet, dhe pa mbështetjen rajonale për përdorimin e forcës, ECOWAS dhe të tjerët po kërkojnë një rrugëdalje.
Junta, e udhëhequr nga gjenerali Abdourahamane Tchiani, ka shfrytëzuar ankesat e popullatës ndaj ish sundimit kolonial të Nigerit nga Franca. Ajo gjithashtu ka akuzuar qeverinë e Bazoum se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur vendin nga ekstremistët islamikë dhe i ka kërkuar ndihmë grupit mercenar rus Wagner. Wagner tashmë operon në një pjesë të vogël të vendeve afrikane, duke përfshirë Malin, dhe është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. Apnews
