Kështu u shpreh kreu i BDI-së Ali Ahmeti në hyrje të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, por nga të gjitha ato që janë parë dhe dëgjuar, tregojnë se muaji i fundit, e sidomos këto dy ditët e fundit, kanë qenë me zhvillime dramatike brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.
Mbrëmë, pas 6 orësh takim në selinë në Reçicë të Vogël, integrisët, të ndarë në dy taborë mes gjeneratës më të re dhe të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, më në fund dolën me një ujdi për emrat që do të jenë në kryesi të partisë. Kur pritej që kryetari Ali Ahmeti minimalisht do të pranonte kërkesat e të pakënaqurve, duke i lënë jashtë udhëheqësisë partiake, gjithçka ndryshoi!
Emrat fillestarë që dje qarkullonin për postet drejtuese të partisë, nga “grupi i zjarrit” dukej se ishte “rehatuar” vetëm Izet Mexhiti duke u propozuar si nënkryetar i BDI-së. Në po këtë listë fillestare si nënkryetare ishte propozuar edhe deputetja nga Gostivari Arta Zendeli-Bilalli, ndërsa Valdet Xhaferi si Sekretar organizativ, dy figura që tek integristët dihet hapur se nuk bëjnë pjesë te njerëzit e afërt të Nevzat Bejtës. Më pas, për çudi këto dy emra zhduken nga lista e përfolur por që ende nuk ishte konfirmuar nga partia. Nga kjo mund të nënkuptohet se Nevzat Bejta është rikthyer “në lojë” duke i larguar këto dy propozime dhe duke sjellë emrin e Saranda Imerit për Sekretare për mundësi të barabarta, që njihet si e afërt me bashkëpartiakun Bejta nga dega e Gostivarit. Emri i saj u konfirmua sot pas mbledhjes së 4-të të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, me prani të gati të të gjithë anëtarëve. Nga selia blu informojnë se “Këshilli Organizativ i BDI-së njëzëri miratoi emrat e propozuar nga kryetari Ali Ahmeti për anëtarë të Kryesisë Qendrore”.
Kështu, Faton Ahmeti u zgjodh si Sekretar i Përgjithshëm, Blerim buxheti, pjesë e “grupit të zjarrit” u zgjodh si Sekretar Organizativ. Bashkëpartiaku i tij po ashtu nga grupi i të pakënaqurve Izet Mexhiti u zgjodh nënkryetar si emër nga dega e Çairit. Të njëjtin post do ta mbajë edhe Bajram Rexhepi që vjen nga dega e integristëve në Tetovë, Arbër Ademi nga dega Kumanovë-Likovë dhe Arbana Pasholli nga ajo e Dibrës.
Faton Ahmeti – Sekretar i përgjithshëm
Blerim Bexheti – Sekretar organizativ
Saranda Imeri – Sekretare për Mundësi të Barabarta
Izet Mexhiti – Nënkryetar (Çair)
Bajram Rexhepi – Nënkryetar (Tetovë)
Arbër Ademi – Nënkryetar (Kumanovë/Likovë)
Arbana Pasholli – Nënkryetare (Dibër)
Ndërkaq këta janë emrat e anëtarëve të kryesisë së re të BDI-së.
Ramiz Merko
Jeton Shaqiri
Fatmir Dehari
Kreshnik Bekteshi
Ardita Dani
Talat Xhaferi
Nevzat Bejta
Valdet Xhaferi
Bilent Saliji
Teuta Arifi
Xhevat Ademi
Resi Abdurrahmani
Artan Grubi
Bujar Osmani
Visar Ganiu
Nazim Bushi
Ejup Alimi
Arijan Daci
Erkan Arifi
Mirsad Ibrahimi
Shaban Mehmeti
Xhemil Qamili
Emir Sulejmani
Artin Spahiu
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm, anëtari i BDI-së, Talat Xhaferi në mënyrë demonstrative lëshoi sallën! Kjo pasi kërkoi që dega e Gostivarit të jetë më mirë e përfaqësuar, ndërsa Musa Xhfaeri i ka thënë që “Gostivari i ka Kryetarin e Parlamentit”, duke aluduar në postin që e mban vet Talat Xhaferi.
“Listës t’i shtohet edhe një nënkryetar, me propozim konkret, kryetari i degës së Gostivarit Valdet Xhaferi dhe në emër të degës si anëtar i Kryesisë, si deputet, duhet të njoftoj se dega e Gostivarit nuk pajtohet me përbërjen e anëtarëve të kryesisë që partisë që është propozuar”, tha Talat Xhaferi.
“Tradicionalisht tashmë disa cikle BDI ka 4 nënkryetarë, 2 sekretarë, me statutin e ri ka 1 sekretar për barazi gjinore dhe unë mendoj me çdo respekt për zotin Talat, ne e kemi respektuar Gostivarin, 2 mandate ka kryetar parlamenti dhe më duket se nuk është kolegiale që këtu në Këshill të Përgjithshëm, kur ne i kemi bërë të gjitha konsultat brenda partisë, me hap ciklin se do të bëjmë 5 nënkryetarë, dikush do të thotë gjashtë… Kur ta kryej, do të flasësh…”, tha Musa Xhaferi.
“Jam kryetar i gjithë këtij këshilli këtu dhe në fund të fundit i gjithë shqiptarëve në Maqedoni, jo vetëm i Gostivarit dhe i Forinës sime..”, tha Xhaferi.
“Është mes Xhaferëve kjo, mos u mërzisni, se tre Xhaferë janë këtu tani”, tha Ahmeti.
Kur zëdhënësi Bujar Osmani u pyet nëse po lind problem në Gostivar, ai u përgjigj:
“Nuk mendoj që kemi problem. Kujtoj që, vërtetë ashtu siç u tha, është një kryesi gjithëpërfshirëse qoftë në aspekt rajonal, qoftë në aspekt gjeneratash, qoftë në aspekt gjinor, edhe pse nuk do të kisha dashur që kjo të ishte më çështje, por kujtoj se është krijuar një balanc i cili, do e shihni edhe vetë, se çfarë energjie do t’i japë BDI-së në periudhën që vjen”, tha Bujar Osmani.
Nga ana tjetër, i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” tash me sa duket është më i qetë, të paktën sipas disponimit të Izet Mexhitit.
“U krye debati, u formuan organet dhe do ta zhvillojmë debatin brenda organeve të partisë”, tha Mexhiti.
A do të mbeteni grupi i zjarrit apo jo?, pyeti gazetari, pyetje së cilës Mexhiti ju përgjigj me të qeshur dhe nuk foli.
Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së gjithashtu miratoi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve dhe autorizoi Komisioni partiak zgjedhor që të organizon zgjedhjet në Forumin Rinor si dhe në të gjithë Këshillat vendor dhe degët e BDI-së në vitin 2023, i cili do të jetë vit zgjedhor për integristët në të gjithë Këshillat vendor dhe në degë, përveç atyre që u zhvilluan këtë vit, ndërkohë në vjeshtë 2023 pritet që të organizohet edhe Kongresi i V zgjedhor i BDI-së.
