Grupi i punës i përbërë vetëm nga pushteti, Panova: Ndryshimet janë punë e Kuvendit e jo e Ministrisë së Drejtësisë

TË FUNDIT

Ministria e drejtësisë publikoi listën e anëtarëve të grupit të punës që do të punojnë në ndryshimet kushtetuese. Lista është e përbërë vetëm nga partitë në pushtet, si dhe nga institucionet, ndërsa opozita nuk ka asnjë përfaqësues. Edhe pse paraprakisht opozitarja Besa paralajmëroi se do të delegojë përfaqësues, megjithatë dje kanë sjellë vendim që të mos marrin pjesë. Në grupin e punës do të marrin pjesë:

ANËTARË TË GRUPIT TË PUNËS PËR NDRYSHIME KUSHTETUESE:

Cvetanka Ivanova nga LSDM

Arbër Ademi nga BDI

Remzi Mehmedi nga Aleanca për shqiptarët

Sonja Mirakovska nga PRSD

Nano Ruzhin nga PLD

Hristina Najdanov nga RDM

Temellko Risteski nga Partia e pensionistëve

Rametulla Kuqi nga PDSH

Eran Kurtish nga Partia për lëvizjen e turqve

Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve

Nga propozimet e marra nga institucionet anëtarë janë:

Aleksandar Spasov nga Zyra e Presidentit të Shtetit

Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane

Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga Ministria e drejtësisë thonë se ekspertët që do jenë pjesë e grupit të punës do të dihen deri në fund të javës.

“Pasi që të përgatiten ndryshimet, propozimi do t’i kalojë të gjithë trupat e punës së Kuvendit. Paralelisht do të mbahen edhe debate profesionale publike ku ekspertët, organizatat civile dhe institucionet tjera do të mund të tregojnë qëndrimet e tyre”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga VMRO-DPMNE thonë se Ministria e drejtësisë po thirr grup pune që nuk është nën kompetencë të këtij resori. Kjo është punë e Kuvendit dhe për këtë duhet të formohen grupe pune në Parlament thotë Eli Panova, deputete e kësaj partie, e cila tha se nuk do të marrin pjesë as në këto grupe pune.

“Kjo është punë e Kuvendit dhe nëse ka çfarëdo nevoje për grupe të tilla, të formohen në suaza të grupeve ekzistuese sipas Rregullores dhe praktikës së vendosur ligjore. Ne nuk do të marrin pjesë në grupet e punës dhe kuptohet se nevojiten edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së për procedurat e mëtejme për tu hapur Kushtetuta. Ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të marrin pjesë në procedurë të tillë për hapjen e Kushtetutës me këtë përmbajtje të deputetëve pa u mbajtur zgjedhje”, tha Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Nga VMRO Popullore thonë se ndryshimet kushtetuese duhet sa më shpejtë të arrijnë në Kuvend.

“Ndryshimet kushtetuese i mbështet VMRO Popullore dhe ne në nivel të koalicionit kemi insistuar që sa më shpejtë të vendosen në rend të ditës, sa më shpejt të arrijnë në Kuvend dhe të shohim kush është KUNDËR e kush PËR ndryshimet kushtetuese”, pohoi Lupço Ballkovski, VMRO popullore.

Kryeministri Kovaçevski dje i thirri të gjithë partitë politike dhe liderët e tyre që të japin kontribut në rrugën e vendit drejt BE-së.