Kështu duket vendi ku mbrëmë rreth orës 18:10, personi N.T gjeti të vrarë vëllain e tij Z.T 56 vjeç. Në vendngjarje, ende të freskëta ishin gjurmët e gjakut nga viktima.
Siç mësohet, jozyrtarisht motivet e vrasjes kanë qenë hakmarje për vrasje dhe përplasje paraprake mes dy grupeve mafioze. Djali i të ndjerit, personi Gani Tusha, për momentin është në paraburgim përshkak dyshimeve se është përfshirë në vrasjen e dyfishtë te Album Shisha në Çarshi të Shkupit, si dhe në vrasjen e para disa muajve në Halkidiki të Greqisë, ku i vrarë mbeti shtetasi i Maqedonisë, Orhan Bajrami.
Sipas njoftimit të MPB-së, i ndjeri Z.T është gjetur i vrarë përreth rrugës që çon nga Bllaca e Poshtme drejt Bllacës së Epërme.
“Më datë 26.02.2024 në ora 18:10 në SPB Shkup është denoncuar se në afërsi të rrugës lokale nga Bllaca e Poshtme drejt Bllacës së Epërme, N.T e ka gjetur vëllain e tij Z.T (56) pa shenja jete, me shenja plage nga armë zjarri. Është kryer inspektim dhe ndërmerren masa për zbardhje të rastit.”- thanë nga MPB.
Për të mos mjaftuar kjo, sot në ora 4 të mëngjesit, është shkaktuar zjarr në kafe barin “Baron” në Fushë Tophanë të Çairit. Sipas pamjeve që ka publikuar “Fokus”, tre persona të maskuar shkaktojnë zjarr dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
“Më 27.02.2024 në ora 04:15 në SPB Shkup është denoncuar se është shkaktuar zjarr në një objekt hotelierik në Çair, në pronësi të O.J (27) nga Shkupi. Zjarri është shuar, persona të lënduar nuk ka, e inspektim ka kryer ekip i SPB Shkup. Po ndërmeren masa për zbardhje të rastit.”- thanë nga MPB.
Nga Prokuroria Publike dyshojnë se që të dy ngjarjet, pra vrasja në Bllacë dhe zjarri në kafe bar “Baron” janë të lidhura me njëra tjetrën.
“Prokurori Publik ka kryer mbikqyrje në vendin e ngjarjes në afërsi të Bllacës, ku u gjet pa shenja jete trupi i një burri me shenja plage. Është dhënë urdhër për autopsi të të ndjerit ndërsa prokurori ka dhënë udhëzime që të bëhen kontrolle dhe të ndërmeren aktivitete për sigurimin e dëshmive. Sa i përket zjarrit në një objekt hotelierik në Çair, është kryer inspektim nga MPB. Janë siguruar pamje nga kamerat. Po ndërmeren masa për zbulimin e kryerësve dhe për lidhje eventuale të të dy ngjarjeve.”- thanë nga Prokuroria Publike.
Përndryshe, djali i të ndjerit, personi Gani Tusha, është anëtar i grupit “Baron”/Bellanoca, kundërshtarë të grupit tjetër nga Duqanxhiku dhe Gërçeci i Shkupit. Viteve të fundit ndodhën disa vraje mes dy klaneve. Gjithçka filloi me vrasjen në Album Shisha ku të vrarë mbetën Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni, si udhëheqës të grupit nga Duqanxhiku, e më pas në Kosovë u vra edhe personi Blerim Daci, i afërt me Gani Tushën. Grupi i Duqanxhikut pësoi edhe një goditje kur në Hallkidiki u vra udhëheqësi kryesor i klanit të tyre, Orhan Bajrami apo i njohur me nofkën “Oki”, ndërsa muajve të fundit kishte edhe tentime tjera për vrasje ndaj Rade Trajkovskit – Shtekli në “East Gate”, i cili njihet si i afërt me klanin Baron – Bellanoca.
