Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Sistem Politik, Artan Grubi, sot ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin dhe zëvendësin e tij Nazim Bushi.
Grubi në rrjetin social Facebook, shkruan se Spasovski dhe Bushi kanë shprehur gatishmëri që të ndihmojnë në shpërndarjen e administratorëve sipas programit K5.
“Shpërndarja e nëpunësve administrativ të punësuar sipas programit K5 me qëllim përmirësimin e përfaqësimit të drejt dhe adekuat nëpër institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vetëm një nga temat që sot kam diskutuar me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Oliver Spasovski dhe zv/ministrin z. Nazim Bushi.
Në frymën e bashkëpunimit të mirë, Spasovski dhe Bushi përshëndetën rregullimin e çështjes së nëpunësve administrativ të cilët deri më tani kanë qenë të pa sistemuar nëpër vende të punës.
Ata shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe për sukses të përbashkët.
Më herët takova edhe Ministren e mbrojtjes, znj. Radmilla Shekerinska e cila gjithashtu u shpreh e gatshme të ndihmon dhe përkrah shpërndarjen e K5 administratorëve”, shkruan Artan Grubi në Facebook.
