Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi edhe njëherë ka paralajmëruar se bllokimi që po i shkakton opozita maqedonase ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10d, do t’i kushtojnë dhjetëra milionë euro më shumë dhe do ta zvarrisë edhe më shumë afatin e ndërtimit.
“Të ju përkujtoj edhe një herë: Opozita, VMRO dhe Levica, me bllokadën e ligjeve në Kuvend, do ta kushtojë shtetin mbi 150 milionë euro dhe dy vite humbje kohe. Realizimin e projektit nuk mund ta ndalin në asnjë mënyrë të vetme, vetëm mund ta shtrenjtojnë dhe vonojnë përfundimin e autostradave. Është në duart e deputetëve të vendosin nëse autostradat do të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë ose më ngadalë dhe më shtrenjtë”, shkroi Artan Grubi, ZVKM i parë.
Për zëdhënësin e opozitares VMRO-DPMNE, Naum Stoillkovski, zëvendëskryeministri Grubi po e pranon se me Marrëveshjen e firmosur nga Qeveria BDI-LSDM do të paguhen gjoba. VMRO-DPMNE pohon se nëse vjen në Qeveri mund ta shfuqizojë marrëveshjen ose punët të bëhen sipas ligjeve të vendit.
“Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së me marrëveshje të këtillë të nënshkruar ka dy opsione. E para është që Marrëveshja të prishet, të humbet para Gjykatës në Paris pas ligjeve të pranuara të Anglisë dhe Uellsit, kjo do të kushtojë qindra miliona euro por pas asnjë metër katror asfalt të vënë. E dyta, të ruhet sovraniteti, të mbrohet Kushtetuta dhe ligjet, dhe autostrada të përfundojë në kuadër të ligjeve dhe procedurave të vendit”, tha Naum Stoilkovski, zëdhënës VMRO-DPMNE-së.
Në këtë mënyrë, sipas Stoillkovskit, do të vazhdohej koha e ndërtimit por edhe shuma për shkak të, siç e quan, marrëveshjes katastrofike dhe obligimeve kriminale të ndërmarra nga Qeveria. Ndërkaq nga na tjetër zëvendëskryeministri Grubi në postimin e sotëm ka siguruar se të gjitha të drejtat dhe obligimet e parapara me ligjin për marrëdhënie pune dhe ligjet tjera do të respektohen në prekshmëri.
