Grubi: Ne hoqëm dorë nga MShIA, por morëm Bujqësinë

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i parë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi ka komentuar hyrjen e Alternativës në Qeveri.

I pyetur për largimin e BDI-së nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Grubi njoftoi se ata fituan një resor “më të madh” siç është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

“Ne hoqëm dorë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, por morëm një resor shumë më të madh, siç është Bujqësia”, tha Grubi, transmeton TV21.

Kjo deklaratë vjen ngaqë dje u nënshkrua marrëveshja për koalicion mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të AAA-së, Afrim Gashi.

Me këtë, pjesë e koalicionit qeverisës janë LSDM dhe koalicioni (pa Lëvizjen Besa), BDI, PDSH dhe AAA.

Kujtojmë se me dikasterin e Bujqësisë ka udhëhequr partia Besa, por ai vend mbeti i zbrazët që kur funksionarët e kësaj partie dhanë dorëheqje, pasi vendosën t’i bashkohen opozitës për rrëzimin e Qeverisë Zaev2, por deputeti i tyre, Kastriot Rexhepi nuk mori pjesë në seancë me çka nuk u sigurua numri i nevojshëm prej 61 deputetësh./TV21