Grubi lëvdohet për ndërtimin e Çerdhes në Çair! Ganiu: Marrëveshja u bë 5 javë para se Grubi të bëhej zv/kryeministër

TË FUNDIT

BDI po vazhdon takimet me qytetarët nën moton Bashkë për në Europë. Mbrëmë integristët ishin në Jegunovcë. Nga atje zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi foli për punën që po bëjnë, ndërkohë u lavdërua edhe për objektin e ri të çerdhes Fidani i cila po ndërtohet në Çair. Ai tha se kjo do të jetë çerdhja më e madhe në vend.

“Vetëm në Çair ndërtohet çerdhja më e madhe në Republike dhe më e ndonjëherë në Republikë. 2 milion euro për një çerdhe që po ndërtohet në Komunën e Çairit dhe është një nga projektet më të mëdha kapitale të ndërmarra ndonjëherë nga MPPS”, tha Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.

Por për këtë reagoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili tashmë siç dihet është rreshtuar në grupin e të pakënaqurve të BDI-së, ose siç njihet ndryshe Grupi i zjarrit.  Ai thotë se Grubi po mundohet të marrë meritat për çerdhen e Çairit, pasi siç thekson procedurat e projektit kanë përfunduar ende Grubi pa u bë zëvendëskryeministër.

“E vërtetë për Çerdhen në Çair është se të gjitha procedurat për ndërtimin e saj, bashkë me kontratën për fillimin e ndërtimit, e nënshkruar nga zëvendës-ministri i atëhershëm për Punë dhe Politike Sociale Gjonul Bajraktar dhe ndërmarrjes BAUER BG, përfunduan më 24 korrik të vitit 2020.  Pra të gjitha këto procedura kanë përfunduar në kohën kur Artan Grubi nuk ishte as në listën e dëshirave për t’u bërë zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, sepse ai në këtë funksion erdhi 5 javë më vonë, gjegjësisht më 30 gusht të vitit 2020”, pohoi Visar Ganiu – Kryetar i Çairit.

Ndërkohë ka ardhur një kundër reagim nga drejtues të BDI Çair si: Nazif Bushi, Ardian Muça, Rami Qerimi e disa të tjerë të cilët kundërshtojnë deklaratat e Ganiut

“Të gjitha projektet kanë vulën e secilit prej nesh dhe janë bërë bashkarisht sepse të vetëm nuk mund të bëjmë asnjë gjë dhe këtë na e ka mundësuar BDI dhe lideri Ali Ahmeti”, thonë nga BDI Çair.

Ndryshe, punimet e kësaj çerdhe ende nuk kanë përfunduar, ndonëse sipas marrëveshjes ndërtimi duhej të përfundonte më 31.12.2022. Gurthemeli i kësaj çerdhe u hodh më 25/12/2020, ndërsa të pranishëm atëherë ishin edhe Kryetari i Çairit Visar Ganiu por edhe zëvendës kryeministri i parë Artan Grubi.