Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi u shkruan letër kolegëve në Evropë duke kërkuar shans për Maqedoninë e Veriut. Në këtë letër Grubi kolegëve në Evropë iu tregon se për një periudhë të shkurtër në Maqedoninë e Veriut janë bërë shumë reforma.
Më poshtë ju sjellim letrën e plot të kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi.
Të nderuar,
Në emër të të gjithë deputetëve, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit tonë, dëshiroj t’ju falënderohem për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në lidhje me aderimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Përcaktimi ynë për anëtarësim në BE është i qartë, e që u vërtetua edhe nga kjo përbërje e Kuvendit, me miratim të njëzëshëm të Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nga ana e të gjitha partive politike.
Vendi ynë mori statusin e kandidatit në vitin 2005, ndërsa në vitin 2009, Komisioni Evropian dha rekomandim për fillimin e negociatave.
Me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin tonë dhe në Parlamentin e Greqisë, çështja për përdorimin e emrit kushtetues të vendit, fatmirësisht u mbyll me sukses. Të dyja vendet bënë me të vërtetë përpjekjet e sizifit për tejkalim të këtij kontesti bilateral. Njëkohësisht, e nënshkruam edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi me Republikën e Bulgarisë, me ç’rast i vërtetuam angazhimet tona për kultivim të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha fqinjët tanë, gjë që është parakusht për prosperitet dhe zhvillim. Përveç kësaj, vendi punoi me përkushtim në detyrat reformuese në: gjyqësi, luftën kundër korrupsionit, zbulimin dhe reformat në shërbimet e sigurisë, si dhe reformat në administratën publike, e që na u sugjeruan në Këshillin e vjetshëm të BE-së, si çështje kryesore për marrjen e datës. Për informatën tuaj të hollësishme, në shtojcë jua dorëzojmë listën e ligjeve reformuese, të cilat i miratoi Kuvendi.
Vendi, gjithashtu, mbajti edhe zgjedhje lokale shembullore në vitin 2017, referendum në vitin 2018 dhe zgjedhje presidenciale në vitin 2019.

